Shiroka-Pula pret në takim kryediplomatin zviceran, në fokus forcimi i marrëdhënieve dhe investimet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe njëherësh kryesuesin e OSBE-së, Ignazio Cassis.
Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e falënderuar ministrin Cassis për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Kosovës.
Ajo ka theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë.
Shiroka-Pula ka vlerësuar bilancin pozitiv tregtar ndërmjet dy vendeve, por ka theksuar se ekziston potencial për rritjen e mëtejshme të tij, përmes mundësive që ofron Asociacioni Evropian i Tregtisë së Lirë (EFTA).
Presidentja ka nënvizuar gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, ajo ka vënë në pah rëndësinë e mërgatës shqiptare, e cila kontribuon aktivisht në Zvicër dhe përbën një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve.
Shiroka-Pula ka shprehur mirënjohjen edhe për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999.
Nga ana e tij, ministri Cassis ka rikonfirmuar se Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen, duke shprehur përkrahjen e tij edhe për presidenten Shiroka-Pula.



