OVLUÇK-ja me aksion para zyrave të BE-së: Gjykata Speciale po masakron të vërtetën
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka mbajtur sot një aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë, përmes të cilit ka shprehur pakënaqësinë ndaj Gjykatës Speciale.
Gjatë aksionit, organizatorët kanë shpalosur një baner me mbishkrimin: “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën!”, si dhe një mesazh drejtuar Evropës: “Evropë, u bënë gjashtë vjet që po e tradhton besimin e Kosovës në drejtësinë tënde!”.
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, tha se përmes këtij aksioni kanë dashur të shprehin pakënaqësinë dhe mllefin ndaj kësaj gjykate, të cilën ai e konsideron të padrejtë dhe që, sipas tij, financohet nga Bashkimi Evropian, raporton Kosovapress.
“Ne sot kemi bërë një aksion para zyrave të Bashkimit Evropian, me një baner që e patë edhe ju, për të shprehur pakënaqësinë tonë dhe mllefin tonë ndaj kësaj gjykate, e cila është e padrejtë dhe financohet nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Gucati.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, tha se aksioni është organizuar në shenjë solidarizimi me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe familjet e tyre, duke kundërshtuar njëkohësisht bazën mbi të cilën është themeluar Gjykata Speciale.
“Ky aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian është i qartë. Pikërisht në bazë të raportit të Dick Martyt, në bazë të shpifjeve të atij raporti dhe rezolutës së Këshillit të Evropës, është krijuar një komision që është marrë me hetimin e atyre pretendimeve, por që nuk ka rezultuar dhe nuk është faktuar asgjë për atë për të cilën janë akuzuar krerët. Mendoj se e kemi thënë edhe më herët se, meqenëse nuk është faktuar asgjë nga ajo që është sajuar në raportin e Dick Martyt, kjo gjykatë është dashur të jetë inekzistente. Ne sot, përtej mbështetjes dhe solidaritetit me familjet e krerëve që gjenden atje dhe me vetë krerët, ashtu siç kemi vepruar tash e gjashtë vjet, mendojmë se edhe institucionet tona është dashur të reagojnë dhe t’i kërkojnë Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian që të rishqyrtojnë dhe analizojnë atë rezolutë mbi të cilën është ndërtuar dhe është bërë një padrejtësi e vazhdueshme ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Jashari.
Ndryshe, më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.



