Bellingham thyen rekordin e Casillasit, bëhet futbollisti më i ri që arrin 60 paraqitje në Champions
Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, ka hyrë në historinë e Ligës së Kampionëve, duke u bërë futbollisti më i ri që arrin kuotën e 60 paraqitjeve në këtë kompeticion.
Anglezi e ka arritur këtë rekord në moshën 23 vjeç e 128 ditë, gjatë përballjes ndaj AEK Athinës në Greqi.
Deri më tani, këtë rekord e mbante legjenda e Real Madridit, Iker Casillas, i cili kishte regjistruar paraqitjen e tij të 60-të në moshën 23 vjeç e 167 ditë.
Kështu, Bellingham e ka tejkaluar ish-portierin madrilen për 39 ditë, duke vendosur një tjetër rekord në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Anglezi kishte arritur edhe më parë një sukses të ngjashëm, kur në nëntor të vitit të kaluar ishte bërë futbollisti më i ri që regjistronte 50 paraqitje në Ligën e Kampionëve.
Bellingham ka debutuar në këtë kompeticion me Borussia Dortmundin në tetor të vitit 2020, kur ishte vetëm 17 vjeç.
Në 60 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, 23 me Dortmundin dhe 37 me Real Madridin, ai ka shënuar 16 gola dhe ka dhënë 14 asistime.
Me këtë arritje, mesfushori anglez vazhdon të shkruajë historinë në futbollin evropian, duke lënë pas një prej emrave më të njohur të këtij kompeticioni.



