Ndeshja Bjellorusi – Shqipëri do të zhvillohet pa tifozë
Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Bjellorusisë dhe Shqipërisë do të luhet pa praninë e spektatorëve, pavarësisht kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) që takimi të zhvillohej me tifozë.
Sipas një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të marrë më 3 mars 2022 dhe që vazhdon të jetë në fuqi, ekipet kombëtare dhe klubet bjelloruse duhet t’i zhvillojnë ndeshjet si vendase në terrene neutrale dhe pa praninë e publikut. Takimi është programuar të zhvillohet më 15 nëntor në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë. Edhe pse FSHF-ja kishte paraqitur kërkesë për zhvillimin e ndeshjes me spektatorë, vendimi i UEFA-s ka mbetur i pandryshuar.
Për rrjedhojë, as tifozët shqiptarë nuk do të kenë mundësi të hyjnë në stadium, pavarësisht se ndeshja do të zhvillohet në Budapest dhe jo në territorin e Bjellorusisë. Shqipëria do ta mbyllë kështu aventurën në Grupin C1 me një udhëtim të pazakontë, duke kërkuar rezultatin e dëshiruar pa mbështetjen e tifozëve nga shkallët e stadiumit.



