IPK kërkon suspendimin e Drejtorit të Prokurimit të Policisë së Kosovës, nën hetim dhjetëra kontrata

05 nëntor 2026 | 19:49

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të Drejtorit të Prokurimit, ndaj të cilit ka nisur një hetim paraprak nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt të interesit në proceset e prokurimit publik.

Sipas njoftimit të IPK-së, dyshimet hetimore lidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit publik, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.

Hetuesit janë duke shqyrtuar vendimmarrjen, mënyrën e zhvillimit të këtyre procedurave, si dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.

Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e hetimit, IPK-ja i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që zyrtari në fjalë të suspendohet nga detyra deri në përfundimin e hetimit penal.

Ky rast po trajtohet në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me të cilën IPK-ja është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar plotësisht dyshimet.

Inspektorati Policor ka bërë të ditur se do të trajtojë me prioritet çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe cenim të integritetit institucional, pavarësisht pozitës apo funksionit që ushtron zyrtari.

Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, IPK-ja ka njoftuar se në këtë fazë nuk mund të japë detaje të tjera lidhur me rastin.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-shefi i Stafit të Hashim Thaçit si president, Bekim Çollaku,…