Kurti: Raportet me Zvicrën po i avancojmë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëdhëniet me Zvicrën po avancohen, duke përmendur edhe marrëveshjen me EFTA-n, e cila, sipas tij, shënon një kapitull të ri në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Kurti është shprehur kështu pas takimit me Ignazio Cassis, ministër i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë, teksa po zgjerojmë bashkëpunimin, i cili me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe të shërbimeve”, ka shkruar Kurti.
Duke shprehur mirënjohjen ndaj Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e Kosovës dhe kontributin në sigurinë e vendit në kuadër të KFOR-it, Kurti ka thënë se kanë diskutuar edhe për rëndësinë e kësaj mbështetjeje në rrugën integruese të Kosovës.
“Krahas diskutimeve për atë se çfarë mund të bëjmë më shumë, qeveri me qeveri e biznese me biznese, biseduam edhe për rëndësinë e Zvicrës në proceset integruese. Gjithashtu theksuam rolin e z. Cassis, si kryesues, në zbatimin e standardeve të barabarta në raportim nga OSBE-ja dhe në përfaqësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga ministri Cassis për të marrë pjesë në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm.



