Çitaku: Ligji me ndryshime do të votohet, s’do të lëmë asnjë mjet pa përdorur për drejtësi në Hagë

05 nëntor 2026 | 16:27

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia nuk ka hequr dorë nga nisma ligjore për Dhomat e Specializuara dhe se ligji vazhdon të jetë në procedurë parlamentare dhe kushtetuese.

Në një deklaratë për “Klan Kosova”, në gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Çitaku i ka cilësuar këto vite si jashtëzakonisht të vështira.

Sipas saj, katër ish-udhëheqësit e UÇK-së janë ndier të braktisur nga shteti, ndërsa aktgjykimin e 16 shtatorit e ka cilësuar të padrejtë dhe të pabazuar në fakte.

“Është një ditë e rëndë për secilin prej nesh që i ka njohur dhe i njeh personalisht. Kanë qenë gjashtë vite jashtëzakonisht të vështira, në të cilat ne që i kemi pasur miq dhe bashkëpunëtorë, na është dashur të ecim nëpër teh të shpatës, duke u munduar që t’u dalim në ndihmë dhe duke u përkujdesur që përgjatë rrugës, nga vullneti i mirë, të mos u bëjmë dëm”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka vlerësuar se aktgjykimi i 16 shtatorit ka nxitur një ringjallje e solidarizim të jashtëzakonshëm qytetar në Kosovë dhe te shqiptarët gjithandej, në mbështetje të luftës çlirimtare.

“Verdikti i 16 shtatorit nuk është një verdikt, një aktgjykim kundër katër burrave. Është aktgjykim kundër historisë, është i padrejtë dhe i pabazuar. Çfarë kërkon PDK-ja është vendosja e drejtësisë, jo shmangia e saj. Nuk po kërkojmë të ikim nga drejtësia. Ne po kërkojmë drejtësi të bazuar në fakte. Është evidente edhe nga deklarata e kryetarit të gjykatës, por do të shihet qartë edhe kur të publikohet aktgjykimi i plotë, që është një aktgjykim i sajuar, i pabazuar në fakte dhe nuk përbën një ndëshkim individual. Por, në fakt, është një gjykim që i bëhet historisë sonë”, ka deklaruar Çitaku.

Duke folur për nismën ligjore, Çitaku ka sqaruar se pas miratimit të ligjit në lexim të dytë janë pranuar rekomandime për fuqizimin e tij juridik.

Ajo është shprehur e bindur se, nëse ruhet vullneti politik i 6 tetorit, ligji me ndryshimet e propozuara do të marrë sërish mbështetjen e Kuvendit. Çitaku ka folur edhe për mbështetjen financiare të mbrojtjes dhe punën e grupit punues.

“Ne e kemi ndërmarrë nismën ligjore dhe kam nevojë ta saktësoj: PDK-ja nuk ka hequr dorë nga ligji. Ligji nuk është tërhequr, ligji është në procedurë parlamentare dhe kushtetuese. Pas miratimit të tij në lexim të dytë, kur ka qenë tepër vonë që të bëhen ndërhyrje, ne kemi pranuar edhe disa rekomandime, të cilat janë në funksion të fuqizimit juridik të ligjit dhe në funksion të vendosjes së drejtësisë. Nuk mund të flas tani për detaje, sepse do të ishte jokorrekte nga ana ime, pasi është një punë ekipore që po bëhet. Por, unë jam e bindur që, nëse ekziston vullneti politik që ka ekzistuar më 6 tetor, po ai ligj, me ndryshimet që janë propozuar tashmë, do të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se ligji është vetëm njëri nga instrumentet e nevojshme dhe se mbrojtja ka nevojë edhe për mbështetje financiare.

“Mbështetja financiare që e kanë kërkuar u është siguruar nga institucionet e Republikës së Kosovës. Është një mbështetje që ka munguar me vite të tëra, por më pas janë edhe fondet politike, diplomatike, të marrëdhënieve me publikun e kështu me radhë. Por, ne si grup punues, në takimin e parë jemi dakorduar që të ruajmë konfidencialitetin e diskutimeve dhe vendimeve që marrim”, ka thënë ajo.

Çitaku ka theksuar se kompleksiteti i situatës kërkon kujdes dhe është zotuar se do të përdoren të gjitha mjetet për të kërkuar drejtësi. Sipas saj, ky proces lidhet me të kaluarën dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.

“Është një situatë shumë komplekse. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Siç u pa edhe në ditën kur është dhënë aktgjykimi, Kosova dhe çlirimtarët tanë kanë shumë kundërshtarë që kanë punuar me vite aktivisht që të arrihet një aktvendim i tillë, por ne do të bëjmë çdo gjë. Nuk do të lëmë asnjë mjet, nuk do të kursehemi aspak për të vendosur drejtësi. Po e ripërsëris, nuk bëhet fjalë për fatin personal të katër burrave që kanë qenë në gjendje të vdesin për këtë vend. Bëhet fjalë për të kaluarën dhe për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se…