Komuna arrin marrëveshje me punëtorët teknikë, “Pastrimi” merr përsipër higjienën në shkolla
Pas grevës së punëtorëve teknikë, shkollat në kryeqytet pritet të rikthehen në funksionim të rregullt gjatë javës së ardhshme, pasi Komuna e Prishtinës ka arritur marrëveshje me sindikatën e punëtorëve grevistë.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Arsimit, e cila ka njoftuar se veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë dhe se pagesat e para për punëtorët janë ekzekutuar gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit, pjesa e mbetur e pagesave pritet të realizohet deri të martën, ndërsa puna e rregullt e punëtorëve teknikë pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për qytetarët dhe prindërit
Kryeqyteti ka arritur sot marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë, ndërsa puna e tyre e rregullt pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë. Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën.
Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.
Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate.
Drejtoria e Arsimit



