Nënkryetarja e Prishtinës: Banka Gjermane konfirmoi se Hekuran Murati nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionë euro për pastrimin e Prishtinës

06 nëntor 2026 | 10:09

Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka deklaruar se kredia prej 74 milionë eurosh, e dedikuar për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Musmurati ka bërë të ditur se këtë çështje e ka diskutuar në një takim me përfaqësues të Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), ku, sipas saj, është rikonfirmuar se kredia ende nuk është nënshkruar nga ministri Murati

Bëhet fjalë për një marrëveshje financiare prej 74 milionë eurosh, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte nënshkruar me Qeverinë Gjermane dy vjet më parë.

Përmes këtij financimi ishte paraparë blerja e më shumë se 100 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, furnizimi me 10 mijë kontejnerë, si dhe ndërtimi i një qendre moderne për riciklimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Musmurati ka kritikuar ministrin Murati për mosnënshkrimin e kredisë, duke e cilësuar këtë veprim si pengesë për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet.

“Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës”, ka deklaruar Musmurati.

Deri më tani, në këtë komunikatë nuk është paraqitur ndonjë qëndrim i ministrit Hekuran Murati lidhur me pretendimet e nënkryetares së Prishtinës.

Njoftimi i plotë:

KfW-ja rikonfirmon, Hekuran Murati nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionë euro për pastrimin e rajonit të Prishtinës!

Dje, së bashku me Kryeshefin e KRM Pastrimit, pritëm në takim delegacionin e KfW-së gjermane ku edhe njëherë na u rikonfirmua që Ministri i Financave nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionëshe për pastrimin e rajonit të Prishtinës.

Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës. 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontenjerë, qendër për riciklim të mbeturinave janë investime që po humbin sepse Hekruan Murati mbanë inate politike.

Ne nuk do të ndalemi, do të gjejmë forma tjera të pastrimit të qytetit, por qytetarët e Prishtinës nuk do të falin papërgjegjësinë e skajshme të një partie që ka për qëllim bllokadën e jo zhvillimin. Qytetarët e Prishtinës do të mbajnë mend që një ministër bllokoi qëllimisht pastrimin e qytetit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ismail Kadare   E hidhur vjeshtë e këtij viti Kosovën…