Gërvalla në Forumin BE – Ballkani Perëndimor: Korrupsioni kërkon luftë pa kompromis
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar nevojën për luftë të pakompromis kundër korrupsionit, duke kërkuar verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, konfiskimin e përfitimeve të paligjshme dhe përgjegjësi për zyrtarët publikë.
Këto deklarata Gërvalla i bëri në margjinat e Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, në panelin
kushtuar luftës kundër korrupsionit.
Ajo tha se përballja me këtë dukuri kërkon vullnet të palëkundur institucional, sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë, zbatim të pakompromis të ligjit dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar.
Sipas saj, asnjë pozitë publike, pasuri apo lidhje politike nuk duhet të shërbejë si mburojë përballë ligjit.
Gërvalla ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në thellimin e reformave në drejtësi, forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Ajo ka shtuar se qëllimi është forcimi i sundimit të ligjit dhe garantimi i përgjegjësisë dhe barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit.



