Mbahet testi kualifikues për 34 kandidatë për prokurorë të shtetit

07 nëntor 2026 | 15:58

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot testin kualifikues për treqindeshtatëdhjetenjë (371) kandidatë, prej tyre njëqindeshtatëdhjetekatër (174) femra dhe njëqindenëntëdhjeteshtatë (197) meshkuj, në kuadër të procesit të rekrutimit të tridhjetekatër (34) prokurorëve të rinj të shtetit, ku prej tyre dhjetë (10) pozita janë të rezervuara për komunitetin serb, të cilët do të emërohen në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës. Testimi është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.

Procesi i hartimit dhe administrimit të testit është realizuar duke zbatuar parimet e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë kandidatëve.

Në funksion të këtyre parimeve, pyetjet e testit janë hartuar sot, në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë.

Testi kualifikues është mbikëqyrur nga Arian Gashi, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, së bashku me anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.

Mbarëvajtja e procesit është përcjellë edhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) OSBE dhe AVONET, duke kontribuar në monitorimin e pavarur dhe besueshmërinë e këtij procesi.

Me përfundimin e testit kualifikues, procedura e rekrutimit do të vijojë me fazat e tjera të parapara, përkatësisht testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.

Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar që i gjithë procesi të zhvillohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe paanësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiq, tha më…