BE-ja nis negociatat për roamingun me Kosovën
BE-ja synon që marrëveshjet të përmbyllen deri në fund të vitit 2026, duke u hapur rrugë qytetarëve të Kosovës që të përdorin telefoninë dhe internetin pa tarifa shtesë në vendet e BE-së.
Komisioni Evropian ka nisur negociatat me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për përfshirjen e tyre në skemën “Roam Like at Home”, e cila mundëson përdorimin e telefonisë dhe internetit gjatë udhëtimeve jashtë vendit pa tarifa shtesë.
Synimi është që negociatat dhe marrëveshjet përkatëse të përmbyllen deri në fund të vitit 2026, sipas planit, në mënyrë që qytetarët e pesë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor të mund të përfitojnë nga kjo skemë në fazën e ardhshme të zbatimit.
Në praktikë, kjo do të nënkuptonte se kosovarët që udhëtojnë në territorin e Bashkimit Evropian do të mund t’i përdorin minutat, mesazhet dhe internetin mobil sipas kushteve të pakos së tyre vendore, pa paguar tarifa shtesë për roaming.
Gjithashtu, nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe miliona bashkatdhetarë që jetojnë në Evropë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ata do të mund t’i përdorin numrat e tyre për thirrje telefonike, mesazhe dhe internet mobil, pa paguar tarifa shtesë roamingu dhe pa pasur nevojë të blejnë karta SIM të operatorëve vendorë.
Megjithatë, heqja e tarifave nuk do të jetë automatike me nisjen e negociatave sepse marrëveshjet duhet të finalizohen dhe vendet partnere duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin dhe rregullat e tyre të roamingut me ato të BE-së.
Skema “Roam Like at Home” zbatohet në 27 shtetet anëtare të BE-së dhe në tri vendet e tjera të Zonës Ekonomike Evropiane: Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji. Që nga 1 janari, asaj i janë bashkuar edhe Ukraina dhe Moldavia, duke e çuar në 32 numrin e vendeve ku qytetarët mund t’i përdorin shërbimet mobile pa tarifa shtesë.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të BE-së për integrimin gradual të vendeve të rajonit në Tregun e Përbashkët Evropian. BE-ja synon që vendet e rajonit të afrohen me standardet dhe rregullat evropiane edhe para anëtarësimit, duke përfituar gradualisht nga mundësitë që ofron tregu i përbashkët, përfshirë tregun unik digjital.



