SHOQËRIA LËVIZJA KUJTOI DHE NDEROI TAHIR HANIN
Shoqëria LËVIZJA, me një Akademi përkujtimore, kujtoi dhe nderoi atdhetarin, veprimtarin, intelektualin, politikanin dhe luftëtarin e paepur e konsekuent për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, TAHIR HANIN.
Që në rini, Tahir Hani ishte përfshirë në demonstratat e Pranverës Shqiptare të vitit 1981, për çka ishte arrestuar dhe dënuar me burg. Pas daljes nga burgu, si student i drejtësisë, ai u organizua në radhët e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (më vonë LPRK dhe, përfundimisht, LPK). Për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare u arrestua sërish dhe u dënua me shumë vite burg. Një pjesë të dënimit e vuajti së bashku me Simbolin e Qëndresës Shqiptare, Adem Demaçin.
Nga burgu doli në vitin 1990. Lirimi i tij u prit me mall, dashuri dhe krenari nga bashkëkombësit dhe bashkëfshatarët e tij në Strugë e Veleshtë.
Veprimtaria dhe përpjekjet e Tahirit për zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk pushuan asnjëherë. Ai ishte pjesë e përpjekjeve politike dhe e luftës për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare, të Kosovës dhe viseve të tjera.
Pas Luftës në Maqedoninë shqiptare, Tahiri mori përgjegjësi të rëndësishme politike dhe shtetërore: ishte kryetar komune në vendlindjen e tij, deputet, zëvendësministër, ministër dhe sekretar i Qeverisë në Shkup.
Krahas përgjegjësive politike e shtetërore, Tahiri ishte i angazhuar edhe në themelimin e Shoqërisë LËVIZJA dhe ishte anëtar i Kryesisë së saj.
Por, ajo që e dallonte dhe e shquante Tahir Hanin nga shumë shokë, veprimtarë e luftëtarë të lirisë ishte karakteri dhe shpirti i tij thellësisht njerëzor. Ai rrezatonte butësi, mirësi dhe dashuri për shokët, miqtë dhe njerëzit në përgjithësi. Ishte burrë me kulturë, i ditur dhe i edukuar si pak kush. I tillë, i mrekullueshëm, ishte edhe si vëlla, bashkëshort dhe baba.
Këtë personalitet të rrallë, me gjithë veprën, idealet dhe virtytet e tij njerëzore, do ta kujtojmë e nderojmë përherë.
Përjetësisht i paharruar dhe i nderuar, shoku dhe miku ynë Tahir Hani, anëtar dhe drejtues i Shoqërisë LËVIZJA!
Shoqëria LËVIZJA




