Ish-zyrtari i lartë i EULEX-it: BE-ja donte ta ndiqte Thaçin dhe UÇK-në, hetimet nisën për arsye politike

08 nëntor 2026 | 21:05

Ish-shefi i Divizionit Ekzekutiv të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Mats Mattsson, ka deklaruar se hetimet ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Ramush Haradinajt dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të motivuara politikisht dhe jo nga arsye gjyqësore.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Nacionale, Mattsson ka bërë deklarata të forta për prapavijën e hetimeve që çuan në krijimin e rrugës drejt Gjykatës Speciale, duke thënë se vendimi për të hetuar UÇK-në ishte marrë nga politikanët dhe jo nga gjyqtarët apo hetuesit e EULEX-it.

“Për mua ishte e qartë se hetimi ishte politik dhe jo i motivuar gjyqësisht”, ka deklaruar Mattsson për Nacionalen.

Ai ka thënë se gjithçka nisi pas akuzave të raportit të Dick Martyt për pretendimet lidhur me trafikimin e organeve, të cilat, sipas tij, u shfrytëzuan nga politikanët për të kërkuar nisjen e hetimeve.

Mattsson ka treguar se Task Forca e Hetimeve të Posaçme (TFPH), e udhëhequr nga Clint Williamson, në korrik të vitit 2014 kishte ardhur në përfundim se nuk kishte arsye të mirëfillta gjyqësore për hetimin e këtyre krimeve.

Sipas tij, pasi nuk kishte prova për pretendimet lidhur me organet njerëzore, politikanët ndryshuan udhëzimet për Task Forcën dhe i dorëzuan asaj të gjitha rastet e krimeve të luftës që EULEX-i i kishte në mision.

“Politikanët nuk kishin organe që të hetonin, ndaj ata i dorëzuan në TFPH të gjitha rastet e krimeve të luftës që i kishim në mision. Ai vendim që të hetohej UÇK-ja u mor nga politikanët e jo nga unë apo ndonjë gjyqtar a hetues në mision”, ka thënë ai.

Deklarata më e drejtpërdrejtë e Mattssonit lidhet me atë se kush qëndronte prapa vendimit për të hetuar ish-krerët e UÇK-së.

“Ishte e qartë se politikanët donin të hetonin Thaçin, Haradinajn dhe UÇK-në. Për mendimin tim, ky është sfondi”, ka deklaruar ish-zyrtari i lartë i EULEX-it.

Ai është pyetur edhe për dënimin e përgjithshëm prej 81 vjetësh burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Mattsson ka theksuar se nuk ka informacion për provat konkrete të paraqitura gjatë gjykimit, duke bërë dallimin ndërmjet objektivitetit të hetimit dhe drejtësisë së procesit gjyqësor.

“Teorikisht ato mund të kenë qenë të mbështetura, por problemi është se hetimi kur filloi nuk ishte objektiv, por çështja nëse të pandehurit patën gjykim të drejtë është tjetër muhabet”, ka thënë ai.

Mats Mattsson është jurist dhe prokuror suedez. Ai ka shërbyer si shef i Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it nga tetori i vitit 2012 deri në janar të vitit 2015. Nacionale

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një vizion politik për reformimin e PDK-së, bashkimin e saj…