FFK-ja organizon kursin e radhës për Licencën UEFA GK B për trajnerë
Federata e Futbollit e Kosovës organizon kursin e radhës për trajnerë të portierëve për Licencën UEFA GK B.
Kursi do të fillojë më 14 dhjetor 2026, ndërsa moduli i parë do të zhvillohet më 14, 15 dhe 16 dhjetor 2026.
Programi i kursit përfshin ligjërata teorike, aktivitete praktike, monitorime në klube dhe fazën e provimeve. Pjesëmarrja në ligjërata dhe aktivitete praktike është obligative, ndërsa kandidatët duhet të jenë të përgatitur edhe fizikisht për ndjekjen e kursit.
Pas përfundimit të programit dhe kalimit me sukses të provimeve përkatëse, kandidatët do të pajisen me Licencën UEFA GK B, e cila është një nga kriteret për avancim drejt Licencës UEFA GK A.
Kriteret për aplikim janë: Dëshmi mbi shkollimin (minimum diploma e shkollës së mesme); Vërtetim nga Policia lidhur me dosjen penale; Certifikatë shëndetësore; Kopje e Licencës GK Nacional C dhe UEFA C; Formulari i aplikimit; Dëshmi mbi përvojën si trajner.
“Aplikimi: Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë vetëm online, përmes platformës së aplikimit në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (kliko këtu). Konkursi do të jetë i hapur nga data 9 nëntor deri më 27 nëntor 2026. Numri i kandidatëve që do të pranohen në këtë kurs është i kufizuar në 16 pjesëmarrës. Çmimi për pjesëmarrje në kurs është 700 euro. Aplikimet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar, aplikacionet e pakompletuara dhe dokumentet që nuk janë të skanuara qartë nuk do të merren parasysh”, ka njoftuar FFK-ja.



