Wenger, kandidat i UEFA-s për ta sfiduar Infantinon në garën për president të FIFA-s
UEFA po e shqyrton seriozisht mundësinë që Arsène Wenger të jetë kandidati i saj për ta sfiduar Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s. Sipas raportimeve të fundit të mediave ndërkombëtare, drejtuesit e futbollit evropian po përpiqen ta bindin ish-trajnerin e Arsenalit që të hyjë në garë për postin më të lartë të futbollit botëror.
Sipas “SportMediaset”, Wenger është aktualisht emri më i përfolur për të përfaqësuar UEFA-n në këtë përballje, ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave është 18 nëntori.
Megjithatë, sipas raportimeve të “Press Association”, francezi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe nuk konsiderohet domosdoshmërisht kandidati i vetëm i preferuar i UEFA-s.
Wenger, 76-vjeçar, ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në futboll, veçanërisht gjatë periudhës 22-vjeçare në krye të Arsenalit, me të cilin ka fituar tri tituj të Premierligës dhe shtatë Kupa FA. Ai është pjesë e FIFA-s që nga viti 2019, kur është emëruar drejtor për zhvillimin global të futbollit, pozitë që vazhdon ta mbajë edhe aktualisht.
Emri i tij po lidhet me këtë garë në një periudhë kur UEFA ka shprehur hapur pakënaqësinë me udhëheqjen e Infantinos.
Një nga çështjet që i ka thelluar përplasjet ishte projekti FIFA Forward Enterprise, përmes të cilit ishte paraparë përfshirja e investitorëve privatë në një kompani të lidhur me organizimin dhe komercializimin e garave të FIFA-s. Projekti ka hasur në kundërshtime të mëdha dhe më pas është tërhequr nga vetë FIFA.



