FFK-ja me bileta shtesë në shitje, tifozët e Izraelit nuk udhëtojnë

10 nëntor 2026 | 11:11

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar të gjithë tifozët se po vazhdon shitja e biletave për ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Izraelit.

Ndeshja Kosovë – Izrael do të zhvillohet të shtunën, prej orës 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa FFK-ja pret që tribunat të mbushen për t’i përkrahur “Dardanët” në këtë ndeshje të rëndësishme.

Në fakt, FFK-ja ka nxjerrë në shitje biletat për sektorët e tribunave të rezervuar për tifozët e Izraelit, të cilët nuk do të udhëtojnë në Prishtinë.

“Pas konfirmimit zyrtar nga Federata e Futbollit e Izraelit se tifozët izraelitë nuk do të udhëtojnë drejt Kosovës, sektori i tribunave i rezervuar paraprakisht për ta, në përputhje me rregulloret e UEFA-s, tashmë është liruar dhe është në dispozicion për blerje nga tifozët vendas”, ka shkruar FFK-ja.

Kështu, federata i ka ftuar të gjithë tifozët e Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar biletat dhe për të qenë në stadium për duelin me Izraelin.

Biletat shtesë janë në dispozicion për sektorin e tribunës J1, me çmim prej 20 eurosh, dhe sektorin e tribunës P2, me çmim prej 50 eurosh. Gjithashtu, ka edhe bileta për sektorët VIP1 dhe VIP2, të cilat kushtojnë nga 150 euro.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar vendosjen në…