Fazliji i bashkohet ‘Dardanëve’ në grumbullim
Pas mungesave tashmë të konfirmuara në Kombëtaren e Kosovës në futboll për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve, mbrojtësi Betim Fazliji është bashkuar në grumbullim me “Dardanët”.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar të martën se futbollisti i skuadrës zvicerane St. Gallen do të jetë në dispozicion të selektorit Franco Foda për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën.
Mbrojtësi 27-vjeçar, i cili mund të aktivizohet edhe si mesfushor defensiv, rikthehet te Kosova pas pesë muajsh. Paraqitjen e fundit, Fazliji e ka pasur në miqësoren ndaj Andorrës, të zhvilluar në muajin qershor.
Fazliji ka 23 ndeshje të luajtura me Kosovën që nga debutimi në vitin 2020, ndërsa në sezonin aktual me St. Gallenin ka regjistruar 12 paraqitje, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asistim në të gjitha garat.
Kosovës në këtë grumbullim nuk do t’i bashkohen Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani për shkak të lëndimeve, ndërsa në dyshim mbetet Lumbardh Dellova.
Po ashtu, pjesë e këtyre ndeshjeve nuk do të jenë as Albian Hajdari dhe Vesel Demaku. Kosova të shtunën do të luajë në Prishtinë me Izraelin, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet në udhëtim me Irlandën.



