Nafta bie me 20% gjatë muajit, tregjet shpresojnë në marrëveshjen SHBA-Iran për t’i dhënë fund luftës
Çmimet e naftës kanë vijuar rënien edhe këtë të martë, ndërsa investitorët po shtojnë pritshmëritë se negociatat diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të çojnë në përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Nafta Brent ra me 1.31%, duke zbritur në 91.36 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u ul me 1.59%, në 85.47 dollarë për fuçi.
Të dyja kontratat kryesore kanë humbur rreth 20% të vlerës gjatë këtij muaji, teksa tregtarët po vlerësojnë mundësinë e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit shtatëmujor. Lufta ka ndikuar në rritjen e inflacionit dhe ka detyruar bankat qendrore të rrisin normat e interesit.
Pritshmëritë për uljen e tensioneve u shtuan pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili të hënën foli për një “moment pozitiv” drejt përfundimit të luftës. Trump e bëri komentin pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
“Kam zhvilluar një bisedë të shkëlqyer me të”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar se gjatë takimit ishte diskutuar gjerësisht edhe për Republikën Islamike të Iranit.
Megjithëse para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA ishin shtuar pritshmëritë se Uashingtoni mund të rifillonte sulmet ndaj Iranit gjatë këtij muaji, Trump ka zbutur deklaratat për një skenar të tillë, pa e përjashtuar plotësisht.
Në reagimin e tij të fundit, presidenti amerikan përsëriti se SHBA-të janë “të gatshme dhe të armatosura”, por vlerësoi se sulme të tjera janë “mjaft të pamundura”.
Sipas Trump, aleatët kryesorë amerikanë në Gjirin Persik preferojnë ruajtjen e situatës aktuale dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Deklaratat e tij përputhen me ato që kishte bërë gjatë fundjavës për CNN, ku e cilësoi si “shumë të pamundur” rifillimin e luftimeve.
Pikërisht këto sinjale diplomatike kanë ndikuar në pritshmëritë e tregjeve, ku investitorët po vlerësojnë mundësinë e një uljeje të tensioneve dhe të një normalizimi gradual të situatës në rajon.



