Nga dje nuk lëviz as treni Prishtinë-Pejë, Kurti u flet francezëve për hekurudhat e Kosovës
Më 9 nëntor, treni i vetëm që operon në Kosovë ndali qarkullimin. Një ditë më vonë, në Paris, kryeministri Albin Kurti foli për “projekte të mëdha hekurudhore”.
Derisa në Kosovë hekurudhat përballen me ndërprerje të qarkullimit, Kurti po qëndron në Francë, ku po mbahet Forumi i Paqes. Gjatë një interviste të dhënë të martën për “Radio France Internationale” (RFI), ai ka folur për stabilitetin institucional dhe planet që, sipas tij, e presin Kosovën në vitet e ardhshme.
Kryeministri ka përmendur projektet infrastrukturore, duke veçuar hekurudhat dhe digat. Sipas tij, pas përfundimit të procesit të konstituimit të institucioneve, vendi ka hyrë në një periudhë stabiliteti që duhet të shfrytëzohet për projekte të mëdha.
“Herën e parë, nuk u lejua konstituimi i Kuvendit, herën e dytë nuk u lejua zgjedhja e presidentit, ndërkaq pas herës së tretë e kemi konstituuar edhe Kuvendin edhe e kemi zgjedhur Qeverinë, edhe e kemi zgjedhur presidenten e re. Kemi stabilitet të plotë institucional 4 vite përpara, kemi shumë projekte përpara, sikurse ato infrastrukturore për hekurudha dhe për diga”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Por, teksa Kurti fliste në Paris për të ardhmen e hekurudhave, realiteti në Kosovë ofronte një pamje krejt tjetër.
Më 9 nëntor, treni i vetëm që operon në linjën hekurudhore Prishtinë–Pejë ndërpreu qarkullimin. Shkak u bë greva e paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos-it, ndërmarrjes përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore.
Në njoftimin e saj, Trainkos kishte paralajmëruar ndërprerjen e shërbimeve për udhëtarët:
“Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. njofton udhëtarët se, bazuar në njoftimet për grevë të organizatave sindikale të Infrakos (menaxheri i infrastrukturës), më 9 nëntor 2026 mund të ketë ndryshime në qarkullimin e trenave: • Treni nr. 4201, i cili niset nga Prishtina në orën 07:50, do të ndërpresë qarkullimin në Fushë Kosovë, pasi në orën 08:00 Infrakos ndalon ofrimin e shërbimeve ndaj nesh si klient i tyre. • Pas këtij treni, për shkak të ndërprerjes së shërbimeve infrastrukturore, të gjithë trenat e tjerë do të pushojnë së qarkulluari deri në normalizimin e situatës”, është thënë në njoftim.
Premtime për diga, por buxhet i kufizuar
Përveç hekurudhave, në intervistën e tij në Paris, Kurti ka përmendur edhe ndërtimin e digave, një tjetër projekt që e ka përfshirë vazhdimisht në planet e tij infrastrukturore.
Megjithatë, shifrat e Projektbuxhetit për vitin 2027 tregojnë se financimi i paraparë për këto projekte mbetet dukshëm më i ulët sesa kostoja e tyre e pritshme.
“Nacionale” raportoi ditë më parë se Qeveria ka paraparë vetëm 1.5 milionë euro për ndërtimin e pesë digave gjatë vitit 2027. Deri në vitin 2029, shuma e planifikuar arrin në vetëm 28 milionë euro.
Kjo, ndonëse kostoja e përgjithshme e paraparë për realizimin e këtyre projekteve pritet të arrijë në rreth gjysmë miliardi euro.
Kështu, ndërsa në paraqitjet e tij jashtë vendit Kurti rendit hekurudhat dhe digat si projekte të mëdha për të ardhmen e Kosovës, në vend mbeten sfidat e funksionimit të shërbimeve ekzistuese dhe dilemat për financimin e projekteve të premtuara.



