Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu – nga ekspertiza në teknologji dhe digjitalizim drejt udhëheqjes universitare

10 nëntor 2026 | 17:44

Më 5 nëntor 2026, Këshilli Drejtues i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) zgjodhi Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahun në pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Rektorit, duke i besuar një përgjegjësi të rëndësishme në drejtimin dhe garantimin e vazhdimësisë institucionale të universitetit.

Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu është një emër i njohur në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë së informacionit dhe administratës publike në Kosovë. Me një përvojë shumëvjeçare akademike dhe profesionale, ajo ka ndërtuar një karrierë të karakterizuar nga ekspertiza profesionale, hulumtimi shkencor, inovacioni dhe përkushtimi ndaj zhvillimit institucional.

Ajo është Doktore e Shkencave në Menaxhimin e Sistemeve të Informacionit, titull të cilin e ka fituar në vitin 2018 në Universitetin Evropian të Tiranës. Studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Telekomunikacion dhe Informatikë. Aktualisht, është duke vijuar studimet për doktoraturën e dytë në WSB University në Poloni, në fushën e aplikimit të Inteligjencës Artificiale në institucionet e arsimit të lartë.

Që nga tetori i vitit 2019, ajo është pjesë e stafit akademik të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ku ka mbajtur pozita të rëndësishme drejtuese, përfshirë atë të Zëvendës-Rektores dhe të Prorektores për Inovacion, Teknologji dhe Digjitalizim. Përvoja e saj institucionale përfshin edhe angazhimin dyvjeçar si Këshilltare Lokale Akademike në Austrian School of Applied Studies në Austri.

Gjatë karrierës së saj akademike, Zejnullahu ka kontribuar edhe në institucione të tjera të arsimit të lartë në Kosovë, përfshirë Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Kolegjin AAB, Kolegjin Iliria dhe Kolegjin “Universum”.

Një kapitull i rëndësishëm i përvojës së saj profesionale lidhet me shërbimin në administratën publike. Gjatë periudhës 2007–2019, ajo ka mbajtur pozita të ndryshme drejtuese në Ministrinë e Administratës Publike, përkatësisht në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit. Në këtë kuadër, ka kontribuar në menaxhimin dhe integrimin e sistemeve të informacionit në nivel qendror dhe lokal, në kuadër të proceseve të e-Qeverisjes, duke udhëhequr drejtoritë dhe sektorët përkatës. Më herët, gjatë viteve 2006–2007, ka punuar si asistente e teknologjisë së informacionit në Zyrën e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Kontributi i saj profesional shtrihet edhe në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale. Që nga viti 2008, ajo është trajnere në Institutin e Kosovës për Administratë Publike, ku ka realizuar trajnime në fusha të ndryshme, si e-Government, m-Government, menaxhimi i projekteve, sistemet e informacionit, metodat e hulumtimit shkencor, përdorimi i programit SPSS, si dhe aplikacionet e paketës Microsoft Office.

Gjithashtu, në vitin 2019, është emëruar anëtare e Këshillit Shkencor për fushën e hulumtimeve ndërdisiplinore në teknologjinë e komunikimit dhe informacionit.

Me përvojën e saj në arsimin e lartë, administratën publike, menaxhimin e sistemeve të informacionit dhe proceset e digjitalizimit, Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu merr këtë përgjegjësi të re në një periudhë me rëndësi për zhvillimin dhe avancimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një arritje e jashtëzakonshme për talentin shqiptar! Dion Aliu është…