Lista Studentore serbe hyri në Kosovë pa kërkuar leje, Ministria e Jashtme i trajtoi si qytetarë të zakonshëm
Përfaqësuesit e Listës Studentore që fituan zgjedhjet në Serbi, vizituan Kosovën pa marrë asnjë leje paraprake nga institucionet e shtetit në Kosovë. Këtë e konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila konsideroi të panevojshme që përfasuesit e Listës të marrin leje, duke qenë se të njëjtë nuk kanë ende funksione zyrtare në institucionet e Serbisë.
“Lidhur me vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore, më 8 dhe 9 nëntor 2026, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar kërkesë për vizitë zyrtare dhe, rrjedhimisht, nuk ka lëshuar ndonjë miratim të tillë”, i tha MPJD, Gazetës Express në një përgjigje me shkrim.
“Duke qenë se përfaqësuesit në fjalë nuk mbajnë akoma funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Republikën e Kosovës janë realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përgjithshme për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të Serbisë në Republikën e Kosovës. Për vizita të kësaj natyre nuk kërkohet miratim paraprak nga MPJD-ja”, shton.
Përfaqësues të Listës Studentore që fituan zgjedhjet në Serbi vizituan Kosovën vetëm dy ditë pas procesit elektoral. Gjatë vizitës në Graçanicë, në Manastirin e Deçanit dhe në Prizren, ata iu referuan Kosovës si pjesë të Serbisë, duke shprehur qëndrime të ngjashme me ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Feđa Dimović, njëri nga anëtarët e kësaj liste, e cila konsiderohet si progresiste në Serbi, decidivisht tha se “Kosova dhe Metohia kanë një vend të rëndësishëm në programin e Listës Studentore, gjë që konfirmon se Kosova është pjesë integrale e Serbisë dhe shtyllë e identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”./voxkosova.com



