Shteti dështon ta mbështesë kosovarin në CS2, Aulon Fazliu detyrohet të mungojë në turnirin e madh për shkak të vizës

10 nëntor 2026 | 21:24

Një tjetër rast që ngre pikëpyetje për mbështetjen institucionale ndaj sportistëve dhe përfaqësuesve të Kosovës në arenën ndërkombëtare vjen nga skena e esports.

Lojtari kosovar i Counter-Strike 2, Aulon Fazliu, i njohur ndryshe me nickname “Krabeni”, ka bërë të ditur se nuk do të mund të marrë pjesë në turneun BLAST Rivals Hong Kong, për shkak të problemeve me pajisjen me vizë.

Përmes një reagimi publik, Fazliu ka treguar se ka kaluar më shumë se dy muaj duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje për këtë problem, madje duke kërkuar edhe ndihmën e institucioneve shtetërore, por situata nuk është zgjidhur.

“Fatkeqësisht, nuk do të mund të marr pjesë në BLAST Rivals Hong Kong për shkak të problemeve me vizën, pasi pajisja me vizë është jashtëzakonisht e vështirë. Kam kaluar mbi dy muaj duke u munduar të gjej një zgjidhje dhe kam kërkuar ndihmë edhe nga shteti im, pasi ka qenë e pamundur që këtë situatë ta zgjidhja vetë”, ka shkruar Fazliu.

Ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe ka shprehur shpresën që të takohet me tifozët në turneun e ardhshëm, Major.

Ku është mbështetja e shtetit për përfaqësuesit e Kosovës që garojnë në arenën ndërkombëtare?

Kur një lojtar kosovar arrin të jetë pjesë e një turneu ndërkombëtar të nivelit të lartë, përfaqësimi i tij nuk është vetëm sukses personal, por edhe mundësi që emri i Kosovës të prezantohet në skenën botërore të esports.

Për këtë arsye, institucionet përgjegjëse duhet të kenë mekanizma konkretë për të ndihmuar sportistët dhe lojtarët e esports me procedurat administrative dhe çështjet e vizave, veçanërisht kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

#P.S Kosova nuk duhet t’i kujtojë përfaqësuesit e saj vetëm kur ata arrijnë suksese, por duhet t’i mbështesë edhe atëherë kur kanë nevojë për ndihmën e shtetit për të arritur deri në garë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Analisti politik Halil Matoshi, duke komentuar qëndrimin e kryeministrit Albin…