Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador në Kosovë?
Mikhail Bogachek, i nominuar nga presidenti amerikan Donald Trump për ambasador në Kosovë, ka një karrierë të gjatë në biznes, shëndetësi dhe drejtim institucional.
Ai është gjithashtu anëtar i bordit drejtues të një organizate që mbështet Partinë Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas biografisë së publikuar nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv të kësaj organizate ndërkombëtare.
Në këtë pozitë, ai mbikëqyr administratën, financat, burimet njerëzore, prokurimin dhe shërbimet e teknologjisë informative.
Bogachek, i njohur edhe me emrin Michael E. Bogachek, ka mbi 25 vjet përvojë në sektorin privat dhe drejtimin e organizatave.
Para angazhimit në OAS, ai ka qenë drejtor operativ i kompanisë farmaceutike VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike.
Sipas biografisë së tij zyrtare, kompania ka ofruar shërbime që kanë përfshirë mbi 1.4 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara.
Bogachek është gjithashtu themelues i Cooperton, kompani që merret me sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave.
Sipas OAS-it, kjo kompani ofron mbrojtje teknologjike për mbi 60 për qind të spitaleve në Porto Riko.



