Hoxhaj rrëfen njohjen me Thaçin dhe Veselin dhe udhëtimin drejt Vjenës me pasaportë false
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka rrëfyer një pjesë të rrugëtimit të tij para angazhimit në politikë.
Ai ka folur për njohjen me ish-presidentin Hashim Thaçin dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veselin gjatë viteve studentore, si dhe për largimin nga Kosova në vitin 1993 dhe udhëtimin drejt Vjenës në pranverën e vitit 1994.
Hoxhaj kujtoi se Thaçi ishte ndër njerëzit e parë që kishte takuar kur studionte histori dhe se përmes tij ishte njohur edhe me Veselin.
“Unë kam qenë student i historisë në vitet 1987-88 dhe prej njerëzve të parë që i kam taku ka qenë Hashim Thaçi dhe përmes Hashimit kam taku edhe Kadriun. Me Hashimin kemi bisedu shumë për historianë”, tha Hoxhaj.
Ai tregoi se në vitin 1994 ishte nisur drejt Vjenës bashkë me Thaçin dhe Nuri Bexhetin. Sipas tij, Thaçi qëndroi një muaj në kryeqytetin austriak para se të vazhdonte studimet në Cyrih, ku për studime shkoi edhe Veseli.
“Kur unë kam lëvizë bashkë me Hashim Thaçin dhe Nuri Bexhetin, në 1994 kemi lëvizë drejt Vjenës. Hashimi ka qëndru një muaj në Vjenë dhe pastaj ka shku në Cyrih për studime. Kadriu gjithashtu ka lëvizë në Cyrih për studime. Kur unë kam shku për Austri, në Vjenë, për studime, kam shku me pasaportë falco, që ma ka dhënë një shok i historisë, që ka qenë kryetar komune pastaj në Maqedoni”, rrëfeu ai.
Hoxhaj u kthye edhe te kalimi i kufirit në vitin 1993 dhe te muajt që kaloi në Shqipëri bashkë me Thaçin, para nisjes për në Austri.
“Kur e kam kalu kufirin në 1993, kam kalu përmes pikës kufitare që e lidh Kosovën me Tetovën dhe kam qëndru në familjen e një shokut tim. Kemi qëndru në Shqipëri disa muaj bashkë me Hashimin dhe në pranverën e 1994 kemi lëvizë drejt Vjenës për studime”, tha Hoxhaj, në emisionin “Shteg” me Dibran Hoxhën.



