Kroos: Me këtë stil të lojës, Barça nuk do ta fitojë Championsin
Ish-mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka komentuar stilin e lojës së Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flickut, duke e vlerësuar futbollin ofensiv të katalanasve, por duke paralajmëruar për rreziqet që sjell mënyra e tyre e lojës.
“Barcelona ka një nga stilet më tërheqëse të lojës në Evropë, ndoshta edhe më të bukurin. Megjithatë, mendoj se marrin shumë rreziqe. Në një ditë të keqe të Pedrit, Lamine Yamalit apo Raphinhas, çdo ekip mund t’i shkaktojë probleme dhe t’i eliminojë nga Liga e Kampionëve”, është shprehur Kroos në podcastin Einfach mal Luppen.
Gjermani ka theksuar se Barcelona bëhet veçanërisht e cenueshme në pjesën e fundit të ndeshjeve, kur futbollistët lodhen, por skuadra vazhdon të luajë me të njëjtën qasje taktike.
“Pas minutës së 75-të vëren se të gjithë janë më të lodhur, por nuk ndryshojnë stilin e lojës për t’i mbyllur hapësirat. Kur je i lodhur dhe nuk e ndryshon mënyrën e lojës, bëhet shumë e dukshme se sa i ekspozuar je”, ka deklaruar ish-futbollisti gjerman.
Kroos ka kujtuar edhe eliminimin e Barcelonës nga Interi në sezonin e kaluar, duke paralajmëruar se një skenar i ngjashëm mund t’u përsëritet katalanasve nëse nuk e përshtatin mënyrën e tyre të lojës në ndeshjet e mëdha evropiane.



