Kompania shqiptare “JoCo Group” partner zyrtar i klubit të futbollit “SSV Jahn Regensburg” në Gjermani

10 nëntor 2026 | 23:35

Kompania JoCo Group ka zgjeruar bashkëpunimin me klubin gjerman të futbollit SSV Jahn Regensburg, duke u bërë partner i kategorisë “Jahn Klassik Partner” nga sezoni 2026/27.

Partneriteti i ri do të jetë i vlefshëm deri së paku në sezonin 2028/29, ndërsa përfaqëson një nivel të ri të bashkëpunimit mes dy palëve, të cilat kanë theksuar lidhjen e tyre me rajonin e Ostbayern dhe vlerat e përbashkëta të respektit e vlerësimit.

JoCo Group, e cila ishte partnere e klubit që nga sezoni 2024/25 përmes JahnClub, me marrëveshjen e re do të ketë prezencë më të madhe reklamuese gjatë ndeshjeve në stadiumin “Jahnstadion Regensburg”.

Përveç dukshmërisë më të madhe, marrëveshja parasheh edhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mikpritjes për mysafirët gjatë ditëve të ndeshjeve.

Një rëndësi të veçantë në këtë partneritet do të ketë mbështetja për akademinë e klubit, të njohur si “Jahnschmiede”. Në kuadër të kësaj përfshihet edhe reklamimi në fushën me bari artificial në Kaulbachweg, ku zhvillohet puna me futbollistët e rinj.

Drejtoresha e marketingut për klientët afaristë në SSV Jahn, Maike Lehner, u shpreh e kënaqur me zgjerimin e bashkëpunimit, duke theksuar se përveç rrënjëve të përbashkëta rajonale, dy palët i bashkojnë edhe vlerat e punës në ekip dhe respektit të ndërsjellë.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i JoCo Personal Solutions GmbH, Shpend Xhema, e cilësoi këtë marrëveshje si një dëshmi të përkushtimit ndaj rajonit të Regensburgut.

Ai theksoi se partneriteti i ri do t’i mundësojë kompanisë rritjen e prezencës dhe zgjerimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e sportit rajonal dhe përkrahjen e talenteve të rinj.

JoCo Group është kompani e specializuar në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe rekrutimin e punëtorëve për kompani të sektorëve të ndryshëm, duke ofruar gjithashtu mbështetje dhe mundësi punësimi për personat që kërkojnë punë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në nëntor 2026, ndërsa demokratët festojnë një prej fitoreve më…