Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

12 nëntor 2026 | 11:01

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet S.L. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet S.L., më 10 tetor 2026, në orën 16:30, në fshatin Pjetërshan, Komuna e Gjakovës, pas një mosmarrëveshjeje pronësore, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta vëllain e tij, H.L., si dhe ka rrezikuar jetën e kushëririt të tij, P.L., duke shtënë katër herë me armë zjarri të tipit AK-47. Si pasojë e të shtënave, të dy të dëmtuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.

Po ashtu, i pandehuri S.L. ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar, në kundërshtim me Ligjin për Armët të Republikës së Kosovës, një armë automatike të tipit AK-47, një (1) pushkë gjuetie, dhjetë (10) fishekë të kalibrit 12 ga dhe një (1) fishek të kalibrit 7.62 mm.

Me këto veprime, i pandehuri me inicialet S.L. dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.3 dhe 1.11, lidhur me nenin 28, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Tashmë është zyrtare. Ronaldinho do të rikthehet në fushën e…