PDK-ja kërkon rivotim sot, Rrustemi: LV-ja është për ligj të ri për Specialen, Kuvendi do ta japë epilogun përfundimtar

12 nëntor 2026 | 10:44

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se kjo parti është për një ligj të ri për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotimin e tij sot, ashtu siç është, dhe më pas amendamentimin e tij.

Rrustemi e ka argumentuar këtë qëndrim të partisë në pushtet në Komisionin parlamentar për Legjislacion.

“Ne jemi në një rrethanë të tillë për ligjbërje të re, për ligj të ri, duke i dhënë besimin sponsorizuesit se ka identifikuar defekte në ligj”, ka thënë ai.

“Do me thënë, ne nuk jemi sot për të votuar të njëjtin (ligj), marrë parasysh shqetësimet që i ka dhënë vetë sponsorizuesi. Thjesht jemi për nismë të re ligjore, duke i adresuar shqetësimet, duke mos humbur kohë për t’i përsëritur procedurat”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka thënë se, përfundimisht, epilogun do ta japin deputetët në Kuvend.

“Sido që të jetë, ky është qëndrim këtu në Komision, por Kuvendi do t’i japë epilogun përfundimtar. Është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vendosin me votën e tyre për rivotimin e ligjit të njëjtë apo për të qëndruar në fuqi vetoja e Presidentes”, ka thënë Rrustemi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Aleanca e…