Polemika në Spanjë për ‘lazdranin’ Lamine Yamal, akuzohet se po i zgjedh ndeshjet që dëshiron t’i luajë

12 nëntor 2026 | 11:11

Lamine Yamal është në qendër të debatit në Spanjë, pasi vendimi për të mos udhëtuar me përfaqësuesen për ndeshjen ndaj Çekisë ka shkaktuar reagime të shumta.

Sulmuesi i Barcelonës do t’i bashkohet ekipit kombëtar të premten, me synimin që të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Anglisë të dielën.

Disa komentues dhe analistë kanë ngritur dyshime se futbollisti po zgjedh ndeshjet në të cilat dëshiron të paraqitet.

Gazetari Edu Aguirre ishte ndër më të ashprit në kritikat e tij: “Nëse nuk je aty për ndeshjen e së enjtes, atëherë nuk je as për të dielën. Pikë. Nuk më pëlqejnë këto përzgjedhje sipas dëshirës”.

Kritika të ngjashme ka pasur edhe nga gazetari Miguel Talavera, i cili ka paralajmëruar se një vendim i tillë krijon përshtypjen se lojtarët e veçantë mund të bëjnë çfarë të duan.

Ndërkohë, disa zëra kanë akuzuar edhe Barcelonën se po ushtron ndikim te federata për ta ruajtur yllin e saj.

Përballë këtyre reagimeve, përzgjedhësi Luis de la Fuente ka dalë në mbrojtje të Yamalit.

“Ai nuk ka asgjë serioze. Ishte i gatshëm për të luajtur, por nuk ia vlente të rrezikonim. Nëse do të kishim pasur nevojë urgjente, me siguri do ta aktivizonim. Në radhë të parë mendojmë për shëndetin e tij”, ka deklaruar trajneri.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Harry Kane do të shkruajë historinë e futbollit anglez në…