Tahiri: Aleanca mbështet Ligjin për Specialen, kërkon procedim sa më të shpejtë
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta procedojë sa më shpejt Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se vonesat e panevojshme mund të ndikojnë në humbjen e kohës për procesin gjyqësor në apel.
Në një deklarim në Komisionin për Legjislacion, Tahiri tha se, duke pasur parasysh afatet kohore të procesit gjyqësor në apel, Kuvendi duhet të veprojë me shpejtësi për ta përmbyllur këtë çështje.
Ai theksoi se, sipas informacioneve që ka Aleanca, nuk ka ndonjë kërkesë për ndryshime shumë substanciale në ligj.
“Duke pasur parasysh që procesi gjyqësor në apel e ka një afat kohor, sa më shumë që ne si Kuvend e vonojmë e tjerrim, aq më shumë humbim kohë. Dhe kjo është kërkesa jonë si grup parlamentar”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca e mbështet Ligjin për Specialen, por kërkon që procedimi i tij të bëhet sa më shpejt.



