Policia bastis shtëpinë e 20-vjeçarit në Gjakovë, gjen 24 qese me marihuanë të gatshme për shitje, arrestohet Elvir Llukaci

12 nëntor 2026 | 11:29

Një 20-vjeçar nga Gjakova ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi hetuesit e antidrogës kanë bastisur shtëpinë e tij dhe kanë zbuluar 24 qese me substancë të dyshuar marihuanë, të përgatitura për shitje. Gjatë kontrollit janë gjetur edhe pajisje për peshimin dhe përgatitjen e drogës. Operacioni është zhvilluar të mërkurën, më 11 nëntor, rreth orës 15:20, në rrugën “Çamëria” në Gjakovë, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është Elvir Llukaci (20), i cili është hasur në shtëpi në momentin kur hetuesit kanë nisur bastisjen. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse, zyrtarët policorë kanë gjetur 24 qese të vogla najloni me rreth 31 gramë substancë të dyshuar marihuanë, të cilat, sipas dyshimeve të hetuesve, ishin përgatitur për shitje. Përveç drogës, janë sekuestruar edhe një peshore digjitale, një pajisje për grimcimin e marihuanës dhe pesë euro para të gatshme.

Pas zbulimit të substancës dhe pajisjeve, për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda. 20-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë. Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka…