Ganimete Musliu përplaset me Xhelal Sveçlën për uniformat e policisë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me çështjen e uniformave dhe pajisjeve të Policisë së Kosovës.
Gjatë debatit, Musliu ka kritikuar Sveçlën, duke thënë se përgjegjësia për këtë çështje është personale e tij. Ajo ka ngritur shqetësime edhe për menaxhimin e buxhetit dhe kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë.
Në përgjigjen e tij, Sveçla ka thënë se është faktori i fundit që verifikon nëse procedurat janë ndjekur sipas rregullave, ndërsa përgjegjësia për procesin e prokurimit i takon departamentit përkatës të mbështetjes.
“Unë jam faktori i fundit që bëj verifikimin nëse procedurat janë ndjekur sipas rregullave. Përgjegjësia për këtë proces është te departamenti përkatës i mbështetjes. Prandaj, duhet të jetë jashtëzakonisht e qartë se unë nuk merrem me detajet e një procesi të prokurimit”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka shtuar se nuk ia ka ndryshuar rolin Policisë së Kosovës, por ka rritur mbështetjen ndaj saj, përfshirë atë financiare.
Musliu e ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke thënë se në të kaluarën Policia ka pasur buxhet më të vogël, por nuk është ankuar për mungesë të uniformave, pajisjeve dhe kapelave.
“Ka pasur buxhet më të vogël, por nuk kemi pasur asnjë polic që është ankuar për mungesë të uniformave, pajisjeve apo kapelave. Ju po paraqitni buxhetin në letër, ndërsa ne synojmë që buxhetin ta realizojmë në praktikë, duke krijuar kushte më të mira për punë për policët”, ka thënë Musliu.



