Kuvendi shkon në pauzë, pas orës 14:00 pritet shqyrtimi i Ligjit për Specialen
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 14:00, menjëherë pas përfundimit të deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.
Pas pauzës, Kuvendi pritet të vazhdojë punimet me shqyrtimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe me interpelancën ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në rendin e ditës është edhe një mocion përmbajtësor lidhur me çështjen e energjisë.
Ndërkaq, si pikë e fundit e seancës është paraparë shqyrtimi dhe miratimi në lexim të tretë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ky projektligj është përfshirë në rendin e ditës pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka paralajmëruar se do të sjellë një nismë të re ligjore për amendamentimin e tij brenda dy javësh.



