KFOR zhvillon ushtrime për menaxhimin e turmave dhe trazirave
Ushtarët nga Gjermania, Hungaria, Italia dhe Rumania, të cilët shërbejnë në kuadër të Batalionit Rezervë Taktik të Kosovës (KTRBN), kanë përfunduar ushtrimin ushtarak “Kelly’s Heroes 2026”, të zhvilluar në kampin Kelly në Kosovë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, aktiviteti kishte në fokus trajnimin për menaxhimin e turmave dhe situatave të trazirave, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet pjesëtarëve të forcave të vendeve aleate.
Gjatë ushtrimit, ushtarët e Batalionit Rezervë Taktik të Kosovës (KTRBN) zhvilluan skenarë të ndryshëm praktikë, duke përfshirë edhe përdorimin e mjeteve tokësore dhe ajrore.
“Përmes këtyre simulimeve, ata testuan aftësitë për reagim të përbashkët dhe veprim të koordinuar në situata të ndryshme operacionale”, thuhet në njoftim.
KFOR-i bëri të ditur se ushtrime të tilla kontribuojnë në rritjen e gatishmërisë dhe profesionalizmit të trupave, si dhe në forcimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave të tyre në Kosovë.
Misioni i NATO-s në Kosovë theksoi se mbetet i përkushtuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.



