AKB-ja ngre alarmin: Kosova blen 3 milionë euro produkte kineze në ditë
Sipas projeksionit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), gjatë vitit 2026 importet e Kosovës nga Republika Popullore e Kinës pritet të arrijnë rreth 1.1 miliard euro, duke shënuar një rekord historik të importeve nga një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Kjo vlerë nënkupton se tregu kosovar konsumon mesatarisht: Rreth 3 milionë euro në ditë; Rreth 92 milionë euro në muaj; Rreth 1.1 miliard euro në vit.
“Kina nuk e njeh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, ndërsa konsumatorët dhe bizneset kosovare blejnë çdo ditë produkte kineze në vlera milionëshe. Në njërën anë kemi një shtet që nuk e njeh Kosovën, ndërsa në anën tjetër kemi një treg kosovar që çdo vit do të shpenzon mbi një miliard euro për mallra të importuara nga ky vend. Ndërkohë, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten pothuajse të papërfillshme, duke dëshmuar një pabarazi të theksuar tregtare ndërmjet dy vendeve. Si është e mundur që një shtet nuk e njeh Kosovën, ndërsa konsumatorët dhe bizneset tona i japin tregut të tij mbi një miliard euro në vit?”, ka theksuar kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Ai ka thënë se Aleanca Kosovare e Bizneseve nuk e trajton këtë çështje si thirrje për bojkot të produkteve kineze, por si një alarm ekonomik për nevojën e rritjes së prodhimit vendor, krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes së eksporteve dhe fuqizimit të ekonomisë kosovare.
“Kosova nuk duhet të mbetet vetëm treg konsumi për produktet e huaja. Ajo duhet të krijojë kapacitete për të prodhuar, konkurruar dhe eksportuar në tregjet ndërkombëtare. Qëllimi i këtyre studimeve është të nxisë debat publik dhe institucional për orientimin e politikave ekonomike dhe tregtare të Kosovës. Kosova nuk duhet të jetë vetëm treg konsumi për të tjerët, por duhet të bëhet fuqi prodhuese dhe eksportuese”, ka thënë Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve.



