Ismaili kritikon gjendjen në shëndetësi: Pacientët rrezikojnë të varfërohen për shkak të kostos së trajtimit

13 nëntor 2026 | 13:24

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se, pavarësisht sukseseve që mund të jenë arritur, vazhdojnë të ketë pacientë që nuk kanë arritur t’i sigurojnë barnat për të cilat kanë pasur nevojë.

Këto deklarata Ismaili i ka bërë gjatë interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku është diskutuar për mungesën e barnave onkologjike dhe problemet me furnizimin në institucionet shëndetësore.

Ai ka thënë se shërbimet shëndetësore në Kosovë paraqesin një barrë të madhe financiare për qytetarët, duke rrezikuar që familjet, për shkak të kostove të trajtimit, të përballen me varfëri.

“Shërbimet shëndetësore janë të vetmet shërbime që kur familjet përballen me to rrezikojnë të kalojnë në varfëri, kostoja është aq e madhe”, është shprehur Ismaili.

Deputeti i PDK-së ka theksuar se pacientët që përballen me mungesë të barnave meritojnë trajtim dhe vëmendje të veçantë, ndërsa ka kërkuar që Kuvendi ta trajtojë problemin e furnizimit me barna përtej ndarjeve politike.

“Unë nuk po them që nuk ka asnjë sukses, por do të doja që ky Kuvend ta kuptojë drejt gjendjen e furnizimit dhe ta kuptojë drejt përgjegjësinë individuale në furnizim, për pacientë që nuk i takojnë një partie, u takojnë pacientëve të Republikës”, ka deklaruar ai.

Ismaili ka kritikuar gjithashtu qasjen partiake në diskutimin për gjendjen në shëndetësi, duke thënë se një debat i tillë e largon vëmendjen nga problemi kryesor, që sipas tij, mbetet mungesa e barnave dhe vështirësitë me të cilat përballen pacientët.

“Jeni duke e krijuar një situatë të re, ku harrohet çfarë është duke ndodhur me dhimbjen e pacientëve dhe familjeve, dhe ne merremi me njëri-tjetrin në këtë vazhdën e konfliktit partiak e politik dhe në fund pacientët mbesin me kërkesën më të madhe për ilaçe”, është shprehur Ismaili.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e…