Rama: I arrestuari për falsifikim dokumentesh nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës

13 nëntor 2026 | 13:27

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas raportimeve për arrestimin e një zyrtari nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka sqaruar se personi i dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e pronave në Prishtinë nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës.

Sipas tij, i dyshuari është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe është në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Ai ka theksuar se raportimet që e paraqesin të arrestuarin si punonjës të Komunës së Prishtinës janë të pasakta.

“Për sqarim, zyrtari i dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e pronave në Prishtinë është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Prandaj, raportimet që e paraqesin atë si punonjës të Komunës së Prishtinës janë të pasakta!”, ka shkruar Rama.

Ndryshe, një zyrtar komunal në Prishtinë është arrestuar të enjten nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas dyshimeve veprat janë kryer në periudhën 2022-2023.

Në raportin e Policisë thuhet se dyshohet që ai ka vërtetuar dokumente të dyshuara duke i mundësuar një personi tjetër të regjistroi tri prona në emër të tij.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar…