70 inspektime nga IQMT-ja, gjobiten kompani postare dhe persona për tregti të paregjistruar
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive postare që shpërndajnë produkte të porositura online, duke shqiptuar gjoba ndaj tri kompanive dhe dy personave fizikë për shkelje të rregullave të tregtisë.
Sipas IQMT-së, tri kompani postare janë gjobitur me gjithsej 9 mijë euro, pasi kanë refuzuar të ofrojnë të dhëna për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar produktet për transport.
“Një rezultat i rëndësishëm i këtij aksioni është formalizimi i mbi 100 bizneseve, të cilat që nga fillimi i aktiviteteve inspektuese janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK)”, është thënë në njoftimin e IQMT-së.
Përmes monitorimit të rrjeteve sociale dhe platformave online të shitjes, IQMT-ja ka identifikuar edhe dy persona që ushtronin veprimtari tregtare pa biznes të regjistruar. Ndaj tyre janë shqiptuar gjoba dhe janë obliguar të bëjnë regjistrimin e bizneseve.
Ndërkohë, IQMT-ja ka nisur edhe inspektimin e ofertave dhe zbritjeve të promovuara për Black Friday, me fokus në përputhshmërinë e çmimeve të reklamuara me çmimet reale të shitjes.
Institucioni ka paralajmëruar se aksioni ndaj tregtisë online do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme dhe se inspektimet e bizneseve online janë përfshirë në planin e rregullt të punës.



