Moment i sikletshëm mes Macronit dhe Frostadottirit, kryeministrja islandeze ‘refuzon’ përqafimin e presidentit francez
Një moment i sikletshëm mes presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministres së Islandës, Kristrún Frostadottir, është kthyer në hit në rrjetet sociale, pasi një fotografi e shkrepur gjatë një samiti evropian ka kapur një situatë të pazakontë mes dy liderëve.
Fotografia, e realizuar nga agjencia franceze AFP, tregon Macronin duke iu afruar kryeministres islandeze për ta përqafuar, ndërsa kjo e fundit duket sikur tërhiqet lehtë prapa, duke vendosur njërën dorë mbi shpatullën e presidentit francez.
Kontrasti mes dy qëndrimeve e bën edhe më pikant momentin. Macroni shfaqet i buzëqeshur dhe me krahët e drejtuar për përqafim, ndërsa Frostadóttir duket më e rezervuar. Madje, në fotografi krijohet përshtypja se ajo po i drejtohet fotografit që ndodhej pranë tyre.
Ishte pikërisht ky çast, i kapur në një fraksion sekonde, që e bëri fotografinë virale, duke nxitur komente dhe reagime të shumta në rrjetet sociale. Megjithatë, një fotografi e vetme nuk tregon domosdoshmërisht se çfarë ndodhi realisht mes dy liderëve apo nëse bëhej fjalë për një refuzim të qëllimshëm të përqafimit. Ajo që është e sigurt është se objektivi i AFP-së kapi një prej momenteve më të komentuara të samitit.



