Familjari i policit të vrarë Altin Kryeziu kërkon angazhim të Kryeprokurorit të Shtetit dhe monitorim të procesit gjyqësor
Valon Kryeziu, familjar i policit të Kosovës, Altin Kryeziu, i cili u vra në gusht të këtij viti në Malishevë derisa ishte në krye të detyrës, ka kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë të Kryeprokurorit të Shtetit dhe monitorim të vazhdueshëm të procesit gjyqësor nga mediat.
Përmes një postimi publik në Facebook, Kryeziu ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën se si po trajtohet rasti, duke theksuar se ngjarja nuk duhet të konsiderohet vetëm si një aksident trafiku, por se duhet të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vdekjes së policit.
Ai ka ngritur dyshime për veprim të qëllimshëm, duke përmendur mosbindjen e të dyshuarit ndaj urdhrit të policisë për t’u ndalur, vazhdimin e lëvizjes me shpejtësi të lartë nëpër qytet dhe vargun e përplasjeve që përfunduan me goditjen fatale të policit Altin Kryeziu.
Sipas tij, këto rrethana duhet të analizohen si një zinxhir i vetëm veprimesh dhe nuk duhet të anashkalohen nga Prokuroria.
Reagimi i plotë i tij:
Ftesë publike mediave dhe kërkesë prokurorit të shtetit
Vrasja e policit Altin Kryeziu kërkon drejtësi dhe publiku kërkon të vërtetën, prandaj angazhimi i Kryeprokurorit dhe prezenca e Mediave është e domosdoshme!
Rasti i vrasjes së policit të Kosovës Altin Kryeziu, në Malishevë derisa ishte në krye të detyrës, tashmë është në proces gjyqësor.
Si familjarë, por edhe si qytetarë, jam thellësisht i shqetësuar dhe kërkoj që ky proces të përcillet dhe të monitorohet nga mediat dhe opinioni publik.
Për ne, kjo nuk është vetëm një çështje familjare dhe një dhimbje e madhe shpirtërore. Është edhe një çështje e sigurisë publike, e sundimit të ligjit dhe e besimit në drejtësi. Jeta e një polici, i cili ishte në shërbim të qytetarëve, u ndërpre tragjikisht në krye të detyrës. Nesër, rrethana të tilla mund të rrezikojnë jetën e cilitdo qytetar apo zyrtarë policor.
Ajo që ndodhi më 16 gusht në Malishevë, mënyra e ngjarjes dhe rrethanat që i paraprinë goditjes fatale, nuk mund të trajtohen si një aksident i rëndomtë trafiku. Ekzistojnë rrethana serioze që kërkojnë hetim dhe vlerësim të plotë gjyqësor, përfshirë edhe dyshimin e bazuar për veprim të qëllimshëm.
Një nga rrethanat shqetësuese është koha dhe shpejtësia jashtëzakonisht e lartë me të cilën i dyshuari ka vazhduar lëvizjen nëpër qytet, gjegjësisht në rrugën kryesore Ibrahim Mazreku, një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h dhe ku, në atë kohë qarkullimi i qytetarëve ishte shumë i madh. I dyshuari e dinte se policia në atë kohë janë pikërisht në atë vend duke e drejtuar komunikacionin, pasi që rruga mbyllet nga ora 20:00 dhe kalon në shëtitore.
Por, edhe më shqetësues është fakti se i dyshuari nuk iu bind urdhrit të policit për t’u ndalur. Në vend që të ndalonte dhe t’i përgjigjej urdhrit të ligjshëm të zyrtarit policor, ai vazhdoi lëvizjen, rriti shpejtësinë dhe, pas një vargu përplasjesh e aksidentesh, përfundoi duke goditur për vdekje policin Altin Kryeziu.
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një përplasje fatale, por për një zinxhir veprimesh që duhet të analizohen në tërësi: aksidenti i parë, mosndalimi, rritja e vazhdueshme e shpejtësisë, mosbindja ndaj urdhrit policor dhe goditja fatale e policit që ishte në krye të detyrës.
Nëse i dyshuari nuk kishte qëllim të shkaktonte pasoja fatale, pse nuk u ndal që në përplasjen e parë? Pse vazhdoi të rrisë shpejtësinë në mes të qytetit, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, Pse nuk iu bind urdhrit të policit? Por, vazhdoi deri në goditjen fatale të policit Altin Kryeziu?
Duke i analizuar të gjitha këto rrethana si një zinxhir të vetëm veprimesh, lind dyshimi serioz se goditja e policit Altin Kryeziu mund të ketë qenë objektivi dhe qëllimi i vetëm i këtij veprimi. Kjo pistë nuk guxon të anashkalohet nga Prokuroria, por duhet të hetohet në mënyrë të thelluar, përmes ekspertizave, dëshmive, kamerave dhe çdo prove tjetër relevante.
Shqetësuese janë edhe informacionet lidhur me prova që pretendohet se nuk janë administruar ose mund të jenë fshehur. Nëse këto pretendime kanë bazë, ato duhet të verifikohen urgjentisht. Asnjë provë nuk duhet të humbasë, të anashkalohet apo të mbetet jashtë procesit gjyqësor.
Si familjarë, kërkojmë drejtësi për Altinin. Si qytetarë, kërkojmë garanci se raste të tilla nuk do të normalizohen kurrë, por do të ndiqen penalisht deri në fund!
Ne nuk mund të pranojmë që rrezikimi i jetës së njerëzve dhe pasojat fatale të përfundojnë me një trajtim që nuk i pasqyron të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë. Një shoqëri që e normalizon një rrezik të tillë, rrezikon ta përsërisë të njëjtën tragjedi.
Prandaj, kërkesa ime drejtuar mediave është i qartë, ashtu siç është e qartë edhe kërkesa ndaj kryeprokurorit të shtetit.
– Përcilleni dhe monitorone çdo seancë gjyqësore dhe çdo zhvillim të këtij procesi.
– Hulumtoni rrethanat e ngjarjes dhe provat që janë administruar apo që pretendohet se mungojnë.
– Kërkoni transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
– Mbajeni vëmendjen publike të gjallë, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa ndërhyrje dhe pa ndikime të jashtme.
Po ashtu, Kërkojmë nga Kryeprokurori i Shtetit që të angazhohet drejtpërdrejt në këtë rast, të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë dhe institucionalë dhe të sigurojë mbikëqyrje të plotë të procesit hetimor dhe ndjekjes penale.
Ky rast nuk duhet të lihet në asnjë rrethanë i ekspozuar ndaj neglizhencës, keqpërdorimeve, ndikimeve apo shkeljeve procedurale që mund të cenojnë hetimin dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës. Çdo veprim duhet të jetë i dokumentuar, profesional, i paanshëm dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Kërkojmë që Kryeprokurori i Shtetit të sigurojë se çdo rrethanë e këtij rasti të hetohet deri në fund, se përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe se i dyshuari, nëse fajësia provohet përmes një procesi të drejtë, të marrë dënimin e merituar për vrasjen e rëndë të policit të Kosovës, Altin Kryeziu.
Ne nuk kërkojmë paragjykim të fajësisë dhe as drejtësi jashtë ligjit. Kërkojmë drejtësi të plotë, të paanshme dhe të bazuar në çdo provë relevante.
Altin Kryeziu nuk ishte vetëm djali i një familjeje. Ai ishte pjesë e Policisë së Kosovës, pjesë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe një njeri që humbi jetën duke kryer detyrën e tij.
Mediat duhet të jenë syri i publikut, zëri i transparencës dhe mbikëqyrëse e këtij procesi.
Andaj, ju lutem mos e lini këtë rast të kalojë në heshtje. Mos lejoni që koha ta zbehë përgjegjësinë dhe kërkesën për drejtësi.
Sepse ne sot kërkojmë drejtësi për Altinin, por njëkohësisht kërkojmë siguri për secilin qytetar dhe secilin polic që nesër del në shërbim të vendit.
Drejtësi për policin Altin Kryeziu!
V.K
13.11.2026



