Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, prof. dr. Fejzulla Berisha: SHBA-ja nuk do ta ndryshojë kursin ndaj Kosovës, BE-ja duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë (video)

14 nëntor 2026 | 15:37

Prof. Dr. Fejzulla Berisha ka dhënë një intervistë për televizionin ALBTVUSA, në një bashkëbisedim me gazetarin Rafael Floqi dhe themeluesin e drejtorin e këtij televizioni, Gani Vila.

Diskutimi u përqendrua në zhvillimet aktuale politike dhe gjeostrategjike, dinamikat e politikës së jashtme amerikane, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, si dhe rëndësinë e konsolidimit të partneritetit strategjik shqiptaro-amerikan.

Gjatë intervistës u trajtuan edhe perspektivat e bashkëpunimit institucional, sfidat e sigurisë rajonale dhe domosdoshmëria e ruajtjes së orientimit euroatlantik të Kosovës dhe të hapësirës shqiptare.

Duke folur për ndikimin e zgjedhjeve në SHBA në raportet me Kosovën dhe rajonin, Berisha vlerësoi se kursi amerikan ndaj çështjes shqiptare dhe asaj të Ballkanit do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht ndryshimeve në politikën e brendshme amerikane.

“Zgjedhjet në SHBA do të mbesin për çështjen Kosovës, çështjen shqiptare dhe atë të Ballkanit të pandryshuara. Ndonëse në politikën e brendshme amerikane, Kongresi është i përfshirë në masë të madhe nga demokratët, si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ku Partia Demokratike është dominuese, do të ketë ndryshime në sistemin e brendshëm politik amerikan, në aspektin ekonomik, politik etj. Mirëpo, sa u përket marrëdhënieve me jashtë, mendoj se SHBA-ja nuk do ta ndryshojë kursin ndaj vendeve të Ballkanit, e në këtë kontekst, ndaj Shqipërisë dhe Kosovës”, ka theksuar Berisha.

Ai theksoi se si demokratët, ashtu edhe republikanët kanë dëshmuar mbështetje për çështjen shqiptare dhe në veçanti për Kosovën.

“Megjithatë, kjo është një e mirë e madhe, sepse demokratët gjithmonë kanë dhënë prova për mbështetjen e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe, në veçanti, të Kosovës. Edhe republikanët kanë dëshmuar mbështetjen e tyre për këtë çështje. Andaj, orbita amerikane për Ballkanin dhe, në këtë kontekst, për Kosovën, do të mbetet e pandryshuar dhe do të ketë ndikim pozitiv në përshpejtimin e procesit të arritjes së marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, është shprehur ai.

Berisha u shpreh se vazhdimi i këtij orientimi amerikan do të ketë ndikim pozitiv në përshpejtimin e procesit të arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ai vlerësoi se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian duhet të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, Serbia nuk ka përmbushur as 20 për qind të obligimeve të marra, ndërsa kritikoi BE-në për, siç tha, mosreagimin në kohë dhe trajtimin jo të barabartë të palëve në procesin e dialogut.

“Nga të gjitha obligimet që ka marrë Serbia për zbatimin e marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit, mendoj se ajo nuk ka përmbushur as 20 për qind të tyre. Unë mendoj se fajtore kryesore në këtë kontekst është BE-ja, e cila duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe jo vetëm ndaj Kosovës, së cilës po i ngarkohen obligime që nuk ka mundësi t’i realizojë. Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nënkupton dy palë të barabarta: Serbinë dhe Kosovën, e jo që, në mënyrë indirekte, të favorizohet Serbia përmes heshtjes dhe mosreagimit në kohë të BE-së ndaj saj”, ka thënë Berisha.

Ai shtoi se mosreagimi ndaj mospërmbushjes së obligimeve në fushën e jurisprudencës, diplomacisë dhe politikës është shqetësues, duke vlerësuar se heshtja e bashkësisë ndërkombëtare, në raste të caktuara, mund të nënkuptojë pranim.

Berisha theksoi rëndësinë e një angazhimi më të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare, duke shtuar se Kongresi Amerikan dhe administrata amerikane do të jenë vigjilentë ndaj moszbatimit të obligimeve nga Serbia dhe ndaj gabimeve të Bashkimit Evropian në këtë proces.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sot një ndeshje të…