Surroi i reagon Haxhiut që thotë se ka parë fotografinë e Titos në banesën e nënës së tij, e quan “trillim”
Publicisti Veton Surroi ka reaguar në profilin e tij në ‘facebook’ ndaj deklarimeve të publicistit dhe gazetarit Baton Haxhiu në emisionin “Pressing” në T7, më 12 nëntor, pas botimit të dy librave të tij për kohën e luftës. Surroi deklarimet e Baton Haxhiut në T7 për një vizitë në banesën e nënës së Surroit, Nahire, në vitin 1998, pretendon se janë të pavërteta.
Në reagimin e tij, Surroi ka mohuar se e ka dërguar ndonjëherë Haxhiun në banesën e nënës së tij, duke thënë se edhe rrëfimi për një fotografi të Josip Broz Titos dhe një bisedë të zhvilluar me të ëmën është i trilluar.
“Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjëherë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij”, ka shkruar Surroi.
Ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si, sipas tij, Haxhiu është thirrur në emër të familjarëve të tij të vdekur gjatë emisionit, duke theksuar se nuk mund të flasë në emër të njerëzve që nuk janë më gjallë.
Reagimi i plotë i Veton Surroit:
Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026
• Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.
• Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
• Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.
• Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakallit. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.
• Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.
• Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.
• Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret.
Baton Haxhiu në një prej kapitujve të librit të tij të titulluar “Dollmat nën fotografinë e Titos” rrëfen një episod nga pranvera e vitit 1998, në kohën kur lufta në Kosovë po intensifikohej dhe UÇK-ja po zgjerohej në disa zona të vendit.
Ai përshkruan atmosferën e asaj kohe, duke vënë përballë zhvillimet e luftës në terren dhe jetën e përditshme në Prishtinë. Në këtë kontekst, Haxhiu tregon se një ditë Veton Surroi e kishte ftuar për drekë në banesën e nënës së tij, Nahire, në afërsi të Shtëpisë së Rinisë në Prishtinë.
Haxhiu në këtë pjesë të librit të tij tregon edhe për bisedën me nënën e Baton Haxhitu sa i përket një fotografie të madhe të Josip Broz Titos në murin e banesës.
“Por këtu nuk ishim në ndonjë zyrë të Komitetit Krahinor. Ishim në vitin 1998. Në Kosovë kishte filluar lufta. Jugosllavia që Tito kishte krijuar ishte copëtuar në luftëra, Sllovenia ishte larguar, Kroacia kishte kaluar nëpër luftë, Bosnja ishte mbushur me varre, ndërsa tani Serbia po përdorte polici, autoblinda dhe armë të rënda kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe Tito vazhdonte të rrinte në mur”, shkruan Haxhiu nw librin e tij “Brenda Luftws”
Pjesa e plotë e kapitullit të librit për fotografinë e Titos
“DOLLMAT NËN FOTOGRAFINË E TITOS“
Ishte pranvera e vitit 1998 dhe Kosova po ndryshonte aq shpejt sa nganjëherë dukej sikur brenda një dite jetoje në dy kohë të ndryshme.
Jasharajt ishin varrosur. Në Drenicë e në Llapushë njerëzit po merrnin armët. Në Malishevë kisha parë një kolonë ushtarësh që nuk ia shihje fundin, fëmijë që thërrisnin emrin e Komandant Çelikut dhe burra që kishin ardhur për një varrim e kishin hyrë në rreshtin e UÇK-së sikur vendimin për luftë ta kishin marrë pikërisht aty.
Në Prishtinë, ndërkohë, vazhdonim të bënim edhe gjërat më të zakonshme të jetës. Shkonim në redaksi, pinim kafe, grindeshim për titujt, prisnim diplomatët që tashmë e kishin bërë Kohën Ditore pothuajse zyrën e tyre të dytë dhe ndonjëherë shkonim edhe për drekë.
Një ditë Vetoni më tha se do të hanim te nëna e tij, zonja Naire. Ishte një ndërtesë e vjetër afër Shtëpisë së Rinisë. Ecëm deri atje duke folur, natyrisht, për luftën. Në atë kohë nuk kishte më bisedë që fillonte me futbollin, librat apo ndonjë lajm të zakonshëm dhe që pas pesë minutash të mos përfundonte te UÇK-ja, Serbia, Rugova, amerikanët ose pyetja se sa gjatë mund të vazhdonte e gjithë kjo.
Hymë në shtëpi. Gjithçka ishte krejt normale. Zonja Naire na priti me atë mikpritjen që e bën një mysafir të ndihet sikur kishte ardhur në shtëpinë e vet. Më dha ujë. Nga kuzhina vinte era e ushqimit. Dollmat me fletë rrrushi ishin gati.
Pastaj hapa derën e kuzhinës dhe mëbeta në vend. Në mur ishte Tito. Jo ndonjë fotografi e vogël, e harruar në ndonjë qoshe. Një Tito i madh, pothuajse sa muri. Më shikonte drejt nga fotografia me atë pozën e njohur që për dekada kishte qëndruar në shkolla, zyra komunale, institucione, salla mbledhjesh dhe vende ku të gjithë duhej ta shihnin, edhe kur askush nuk kishte dëshirë ta shihte. Por këtu nuk ishim në ndonjë zyrë të Komitetit Krahinor. Ishim në vitin 1998. Në Kosovë kishte filluar lufta. Jugosllavia që Tito kishte krijuar ishte copëtuar në luftëra, Sllovenia ishte larguar, Kroacia kishte kaluar nëpër luftë, Bosnja ishte mbushur me varre, ndërsa tani Serbia po përdorte polici, autoblinda dhe armë të rënda kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe Tito vazhdonte të rrinte në mur.
Kishte edhe një ironi tjetër që në atë çast më dukej pothuajse tepër e bukur për t’u shpikur. Vetonin, shumë prej shokëve të tij e thërrisnin Tito, ose Tille. Ishte një nofkë që nuk kishte lindur vetëm nga shakaja. Kishte diçka nga mënyra si ecte, si vendoste, si e mbante autoritetin rreth vetes, sikur edhe mes miqve i takonte natyrshëm një pozitë pak më lart se të tjerët. Nuk e di nëse ai e pëlqente gjithmonë atë nofkë, por ajo i kishte mbetur si një lloj titulli jozyrtar.
Dhe tani “Titoja” ynë ishte ulur për drekë nën Titon e vërtetë. Historia, kur do, e shkruan satirën shumë më mirë se gazetarët.
Vetoni nuk tha asgjë. E adhuronte nënën e tij. Këtë e shihja gjithmonë. Madje ndonjëherë e kisha zili për mënyrën si sillej me të. Kishte një respekt pothuajse fëmijëror që nuk ia ndryshonte as politika, as mosha, as karakteri i tij i vështirë.
Në atë shtëpi, njeriu që jashtë saj mund të përplasej me këdo, përballë nënës e humbiste dëshirën për të fituar debate. Dhe ndoshta kjo është një nga format më të mira të pjekurisë: të dish para kujt nuk ke nevojë të fitosh.
U ula. Zonja Naire na solli dollmat. Hëngra një, pastaj një tjetër. Tito vazhdonte të më shikonte. Nuk durova. “Teze Naire, çfarë po të duhet ajo foto e Titos kaq e madhe në mur? Kjo është një kohë tjetër. Jemi në luftë.”
Më pa sikur pyetja ime të ishte shumë më e çuditshme sesa fotografia.
“Pse, djali im?” Pastaj tha me një qetësi të plotë: “Çka të keqe? Gjithçka që kam në jetë ma ka dhënë ky njeri. Shkollimin, punën, jetën e mirë. Çka më ka dhënë dikush tjetër?”
Nuk më kujtohet të kem pasur ndonjëherë përgjigje më të vështirë për një pyetje kaq të thjeshtë.
Sepse ajo nuk po fliste për Titon që njihja unë nga historia politike, po fliste për jetën e saj, për mundësinë që një grua shqiptare e brezit të saj të dilte nga një botë patriarkale dhe të hynte në një jetë tjetër.
Nuk mund t’i thosha se ajo që kishte jetuar nuk kishte ekzistuar, por as unë nuk mund ta shihja atë fotografi pa menduar për atë që kishte ardhur pas saj.
Kjo ishte ndoshta tragjedia më e çuditshme e Jugosllavisë. Secili e mbante mend një Jugosllavi tjetër. Njëri mbante mend shkollimin, tjetri burgun. Njëri punën, tjetri dosjen e UDB-së. Njëri pasaportën me të cilën udhëtonte nëpër Evropë, tjetri babanë që nuk ishte kthyer nga burgu. Dhe të gjithë kishin jetuar nën fotografinë e të njëjtit njeri.
Shtetet autoritare kanë një aftësi të çuditshme: mund t’i japin një njeriu shkollë dhe t’ia marrin tjetrit lirinë, mund ta punësojnë njërin dhe ta burgosin vëllanë e tij, mund ta bëjnë një familje mirënjohëse dhe të njëjtën familje armike të sistemit. Pastaj, shumë vjet më vonë, historianët kërkojnë nga këta njerëz të përgjigjen thjesht nëse ajo kohë ishte e mirë apo e keqe.
Njerëzit nuk jetojnë kaq thjesht. Ideologjitë po.
Nuk debatova me zonjën Naire. Mora edhe një dollmë. Nganjëherë është më e mençur të hash sesa të përpiqesh ta bindësh një njeri se kujtesa e tij është e gabuar.
Por fotografia e Titos më kishte hapur një histori tjetër. Historia e asaj familjeje ishte shumë më e ndërlikuar sesa mund të kuptohej duke parë një fotografi në mur.
Gjyshi i Vetonit nga nëna, Xhemajl Efendi Kabashi, kishte qenë krejt e kundërta e botës që përfaqësonte Titoja. Nacionalist shqiptar, njeriu i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Një prej atyre burrave që fundin e Luftës së Dytë Botërore nuk e kishin parë si çlirim, por si rikthim të Serbisë në Kosovë nën një flamur tjetër.
Djali i axhës sime, Nexhmedini, që vinte nga tradita e NDSH-së dhe që e kishte humbur babanë, Hajdinin, në përplasjet me serbët, më kishte treguar shumë herë për Xhemajl Efendiun dhe për të birin e tij, Zenel Kabashin. Në familjet tona këto histori nuk mësoheshin nga librat. Kalonin nga oda në odë dhe nga një brez te tjetri, të përziera me detaje që vetëm familjet i ruajnë.
Kur komunistët po merrnin pushtetin, Xhemajl Efendiu e kishte kuptuar se gjërat nuk po shkonin në anën e tij.
Gjermania po humbte luftën, partizanët po fitonin.
Dhe në atë pjesë të historisë ku fituesit tashmë e dinë se do të jenë fitues, drejtësia zakonisht fillon të ketë shumë pak durim për nuancat.
Për nacionalistët shqiptarë nuk bëhej më fjalë vetëm për humbje politike, bëhej fjalë për jetën.
Shumë nga njerëzit me të cilët kishte vepruar po përfundonin të vrarë ose në burg. Të tjerët prisnin radhën. Në një moment të tillë Xhemajl Efendiu duhej të merrte një vendim që, në kohë paqeje, mund të quhet oportunizëm, tradhti, kompromis apo dobësi.
Por si quhet një vendim kur përballë ke pushkatimin?
Sa vlen ideologjike kur pranë teje qëndron djali yt dhe ti e di se mund ta vrasin bashkë me ty? A ka njeriu të drejtë ta ndryshojë fatin e vajzës së vet për të shptuar birin? A ka të drejtë të hyjë në krushqi me pushtetin që urren vetëm që familja të mbijetojë? Dhe, nëse e bën, çfarë i mbetet prej krenarisë së mëparshme?
Këto pyetje janë të lehta kur bëhen shtatëdhjetë vjet më vonë, në një dhomë të sigurt, janë shumë më të vështira kur jashtë dhomës mund të jenë njerëz që kanë ardhur për të të marrë.
Xhemajl Efendiu zgjodhi jetën. Jo vetëm të vetën, edhe atë të birit, Zenelit. E prishi fejesën e vajzës së tij, Vahides, me nacionalistin Xhemaj Mucaj Efendinë dhe e fejoi me Fadil Hoxhën, njeriun që po hynte në radhët e pushtetit të ri komunist.
Ajo krushqi u bë mburojë. Xhemajl Efendiu dhe Zeneli shpëtuan nga pushkatimi, ndërsa shumë nga shokët e tyre nacionalistë përfunduan në varret e Jugosllavisë së re. Ky është një nga ato caste ku politika humbet madhështinë e fjalëve dhe zbret në nivelin e mishit njerëzor.
Nacionalizmi, komunizmi, Jugosllavia, Shqipëria etnike, revolucioni, kundërrevolucioni- të gjitha tingëllojnë shumë të mëdha derisa një baba duhet të vendosë nëse djali i tij do të jetë gjallë nesër në mëngjes.
Atëherë ideologjia bëhet luks, mbijetesa bëhet filozofi.
Por mbijetesa nuk është falas. Ajo të lën borxh dhe nganjëherë borxhi më i rëndë nuk është ndaj atij që e do, por ndaj atij që e përbuz.
Mund ta imagjinoj Xhemajl Efendiun pas gjithë kësaj. Kishte shpëtuar veten. Kishte shpëtuar Zenelin. Kishte ruajtur familjen. Por çdo mëngjes duhej të jetonte me dijen se këtë ia kishte mundësuar lidhja me një njeri të sistemit kundër të cilit kishte luftuar.
Çfarë bën njeriu me një ndjenjë të tillë? E fal armikun? E ndryshon bindjen? I bëhet mirënjohës? Apo e urren edhe më shumë, pikërisht sepse tash i ka edhe borxh?
Xhemajl Efendiu kishte zgjedhur këtë të fundit. Krushqia i shpëtoi. Por nuk e bëri komunist. Përkundrazi.
Sa herë që Fadil Hoxha hynte në ndonjë odë ku ndodhej ai, plaku kërkonte të largohej.
Dhe nuk kishte nevojë për formulime diplomatike: “Më çoni prej këtu se erdhi ky mut dhëndri im.” Kjo ishte marrëdhënia e tij me sistemin që ia kishte shpëtuar jetën. E kishte përdorur për të mbijetuar. Nuk e kishte pranuar si të vërtetë. Dhe këtu është një dallim që politika shpesh nuk di ta bëjë: kompromisi me pushtetin nuk është gjithmonë pajtim me të. Njerëzishë mënyra e njeriut për të mbetur gjallë derisa të kalojë pushteti.
Por historia nuk ishte mjaftuar me një ironi. Në vitin 1945 Zeneli u plagos
rëndë në një përleshje me forcat serbe. Dhe përsëri, njeriu që ndërhyri për ta shpëtuar ishte Fadil Hoxha. E dërgoi për mjekim. Ia shpëtoi jetën. Tash borxhi ishte edhe më i rëndë.
Një herë krushqia kishte shpëtuar babanë dhe të birin nga pushkatimi.
Herën tjetër dhëndri komunist kishte shpëtuar drejtpërdrejt Zenelin e plagosur. Nuk e di çfarë është më e vështirë: ta urresh njeriun që të ka dëmtuar apo ta urresh njeriun që ta ka shpëtuar jetën.
Me të parin je i lirë. Me të dytin jo. Sepse mirënjohja është një formë e padukshme e pushtetit. Të detyron të pranosh se historia nuk ka qenë aq e pastër sa do të doje ta kujtoje.
Fadil Hoxha për Xhemajl Efendiun mund të mbetej përfaqësues i një sistemi që ai e konsideronte të huaj dhe të padrejtë, por në historinë personale të familjes së tij ai ishte njëkohësisht dhëndri që kishte ndihmuar të mos pushkatoheshin dhe njeriu që kishte shpëtuar Zenelin e plagosur.
Njeriu nuk e duron lehtë një kundërshtar kur ai ka edhe të drejtë mbi mirënjohjen tënde. Ndoshta pikërisht për këtë Xhemajl Efendiu vazhdonte ta quante me atë fjalorin e tij brutal.
I duhej ta mbante distancën. Sepse po ta pranonte plotësisht mirën që Fadili kishte bërë për familjen e tij, do të duhej të pranonte edhe një copë të botës politike që ai përfaqësonte.
Dhe Xhemajl Efendiu nuk ishte gati ta bënte këtë.
Ironia vazhdonte edhe më tej. Një vajzë tjetër e familjes, zonja Naire, ishte martuar me Rexhai Surroin, diplomat dhe figurë e rëndësishme e Jugosllavisë socialiste. Dhe kështu në të njëjtën familje mund të gjeje nacionalistin që e urrente Jugosllavinë, djalin që burgosej prej saj, dhëndrin që ishte ndër udhëheqësit e saj, diplomatin që e përfaqësonte dhe vajzën që, dekada më vonë, do ta mbante fotografinë e Titos në murin e kuzhinës.
Dhe përballë fotografisë rrinte Vetoni. “Tito”, siç e thërrisnin shumë nga shokët.
Mund të qeshje me këtë rastësi, por në fakt aty kishte diçka më serioze.
Vetoni ishte fëmijë i një familjeje ku historia nuk ishte teori. Ishte gjenealogji. Nga njëra anë vinte familja e nacionalistit që kishte shpëtuar nga pushkatimi duke hyrë në krushqi me komunistët. Nga ana tjetër një botë jugosllave e diplomacisë, arsimit dhe institucioneve, në të cilën prindërit e tij kishin jetuar dhe kishin besuar.
Ndoshta pikërisht për këtë ai nuk kishte as nevojë t’i përgjigjej pyetjes sime për fotografinë.
Për mua Titoja në atë mur ishte paradoks. Për të ishte edhe familje.
Kjo nuk ishte vetëm historia e familjes Kabashi. Ishte Kosova.
Në shumë shtëpi shqiptare historia nuk ishte ndarë në nacionalistë dhe komunistë aq pastër sa shkruhej më vonë në libra.
Ishte futur brenda martesave, krushqive, burgjeve, punëve, karrierave, heshtjeve. Një vëlla mund të përfundonte në burg, ndërsa motra të jetonte brenda sistemit. Njëri mund ta urrente Titon, tjetri mund t’i ishte mirënjohës. Dhe të dy mund të kishin arsye të vërteta për atë që mendonin. Kjo është arsyeja pse historia politike është gjithmonë më e pastër se jeta.
Në histori mund t’i vendosësh njerëzit në dy kolona. Fituesit dhe humbësit. Komunistët dhe nacionalistët. Bashkëpunëtorët dhe kundërshtarët. Në jetë, njeriu i kolonës së parë mund t’ia shpëtojë jetën njeriut të kolonës së dytë.
Pastaj çfarë bën me kolonat? Dhe ka edhe një pyetje më të rëndë. Çfarë ndodh me humbësin? Fituesi shkruan histori, emëron rrugë, merr zyra, jep diploma dhe pensione. Humbësi shpesh nuk humb vetëm luftën politike. Atij i kërkohet ta ndryshojë edhe kujtesën. Të heshtë. Të pajtohet. Nganjëherë edhe të falënderojë sistemin që e ka mundur.
Ky është dorëzimi i vërtetë. Jo kur humbet betejën.
Por kur të kërkohet që moralisht të pranosh se fituesi kishte pasur të drejtë.
Xhemajl Efendiu nuk e kishte bërë këtë. Kishte pranuar kompromisin që i shpëtoi jetën. Nuk kishte pranuar versionin e historisë që vinte bashkë me të.
Vetoni vazhdonte të mos ndërhynte. E njihte historinë. Ndoshta shumë më mirë se unë. Por ajo ishte nëna e tij. Dhe mes historisë së Jugosllavisë dhe nënës së vet, Vetoni e kishte bërë zgjedhjen më të mençur të asaj dreke: hante dollmat.
Edhe unë bëra të njëjtën gjjë. Nuk kishte kuptim ta vazhdoja debatin.
Tito ishte vdekur prej tetëmbëdhjetë vjetësh. Jugosllavia e tij kishte vdekur praktikisht bashkë me luftërat që kishte prodhuar shpërbërja e saj.
Por në atë kuzhinë ai vazhdonte të jetonte dhe ndoshta ky ishte një prej gabimeve që ne bëjmë shpesh kur flasim për fundin e Jugosllavisë.
Mendonim se shtetet vdesin kur u hiqet flamuri.
Nuk është krejt kështu. Shtetet mund të zhduken nga hartat shumë më shpejt sesa nga kujtesa e njerëzve.
Ndërsa haja dollmat, jashtë asaj shtëpie po lindte një botë krejt tjetër.
Njerëzit që kisha parë pak ditë më parë në Malishevë nuk po luftonin për ta reformuar Jugosllavinë. As për ta kthyer autonominë e vitit 1974.
Ata kishin marrë armët për të dalë prej saj përfundimisht. Kjo ishte ajo që e bënte fotografinë në mur kaq absurde. Jo pse zonja Naire nuk kishte të drejtë ta nuk kishte më lidhje me shtetin që ekzistonte jashtë dritares. Atje nuk ishte më Jugosllavia e Titos, ishte Serbia e Millosheviçit. Dhe ajo nuk po na ofronte as shkollim, as punë, as jetë të mirë. Po na ofronte luftë. Por ndoshta as këtu gjërat nuk ishin aq të thjeshta. Sepse lufta që po vinte nuk do ta fshinte automatikisht kujtesën e asaj gruaje. Liria politike nuk mund t’fillojë duke policuar kujtesën.
Nëse zonja Naire e kishte jetuar rininë e saj si një kohë emancipimi, ajo kishte të drejtë ta mbante atë kujtim, po aq sa Zeneli kishte të drejtë ta mbante burgun dhe Xhemajl Efendiu frikën nga pushkatimi.
Ndoshta një shoqëri bëhet e lirë pikërisht kur arrin t’i durojë të gjitha këto kujtime pa i detyruar të bëhen një.
Kur u ngritëm për t’ikur, e pashë edhe një herë fotografinë. Pastaj Vetonin. Për një çast më erdhi të bëja shaka. Dy Tito në një kuzhinë do t’ishin shumë edhe për Jugosllavinë. Nuk e bëra. Zonja Naire nuk e meritonte që kujtimi i saj të bëhej batutë. Nuk i thashë më asgjë. Do të kishte qenë e padrejtë. Ajo nuk po mbronte Millosheviçin, po mbronte kujtimin e vet. Dhe ndoshta vetëm atëherë e kuptova se njeriu mund ta braktisë një shtet politikisht shumë kohë përpara se të arrijë ta braktisë emocionalisht.
Dola nga shtëpi me shijen e dollmave ende në gojë. Pas meje mbeti fotografia e Titos. Me të mbeti një grua që kishte arsye ta falenderonte, një familje që kishte arsye ta mallkonte, një gjysh që kishte shpëtuar veten dhe të birin duke bërë kompromisin më të madh të jetës së tij, një djalë që ia kishte borxh jetën edhe dhëndrit komunist të babait dhe Vetoni, të cilin shokët e quanin Tito, ulur mes gjithë atyre kundërthënieve sikur ato të ishin gjja më normale në botë.
Përpara nesh ishte lufta. Në atë pranverë Kosova po largohej nga Jugosllavia me pushkë, ndërsa një pjesë e saj ende nuk e kishte hequr Jugosllavinë nga muri. Dhe ndoshta nuk duhej ta hiqte me ngut.
Sepse për ta mbyllur një epokë nuk mjafton ta heqësh fotografinë.
Duhet së pari të kuptosh pse dikush ende ka nevojë ta mbajë. Kur po dilnim nga ajo shtëpi, mendova se do të ishte po aq e padrejtë ta shpjegoja Vetonin vetëm me fotografinë e Titos sa do të ishte ta shpjegoja zonjën Naire vetëm me Jugosllavinë; sepse ne kishim punuar gjatë bashkë, kishim ndërtuar një gazetë në kohë të vështira dhe kishim bërë së bashku punë për të cilat edhe sot kam respekt, ndonëse politikisht kishim ardhur nga dy rrugë krejt të ndryshme.
Vetoni kishte pasur një admirim të veçantë për Fadil Hoxhën dhe vinte nga një rrefh familjar e intelektual që te ai shihte, në njëfarë mënyre, vazhdimësinë e një elite urbane shqiptare të formuar brenda Jugosllavisë. Shokët e quanin Tito ose Tille, pjesërisht si shaka dhe pjesërisht sepse ai vetë kishte atë lloj autoriteti që e bënte nofkën të dukej më shumë si titull sesa si tallje. Kishte qenë autoriteti që e bënte nofkën të dukej më shumë si titull sesa si tallje. Kështu kishte themeluar UJDI-n në kohën kur partitë nacionaliste po lulëzonin dhe kishte një mosbesim, ndonjëherë edhe një përçmim të dukshëm, ndaj asaj bote politike që vinte nga fshati, nga oda dhe nga ish të burgosurit.
Dukagjin Gorani ia kishte thënë njëherë me brutalitetin që vetëm një koleg mund t’ia lejojë vetes: “Sot trego, a je me ne apo me ta”.
Nuk ishte pyetje për miqësinë. Ishte pyetje se cilës histori i besoje. Por historia kishte bërë që, vite më vonë, unë dhe Vetoni të punonim në të njëjtën redaksi dhe të përpiqeshim t’i tregonim botës një Kosovë që tashmë nuk po debatonte si ta demokratizonte Jugosllavinë, por si të dilte prej saj. Kjo ishte ndoshta edhe arsyeja pse bashkëpunimi ynë funksiononte: nuk na duhej të kishim të njëjtën biografi politike për të bërë të njëjtën gazetë.
Kur e pashë edhe një herë Vetonin pranë nënës së tij dhe fotografinë e madhe pas tyre, kuptova se ndoshta e gjithë ajo drekë kishte qenë pikërisht për këtë: për të më kujtuar se njerëzit janë shumë më të ndërlikuar se kampet politike ku përpiqemi t’i vendosim.



