Kryeministri Edi Rama ka vendosur të largojë Erion Veliajn nga drejtimi politik i Partisë Socialiste për Tiranën.

14 nëntor 2026 | 12:40

Siç raporton Albanian Post, në vend të tij, në këtë përgjegjësi janë caktuar Ervin Demo dhe Albana Koçiu, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste që po zhvillohet në Gjirin e Lalzit.

Vendimi vjen në kuadër të diskutimeve për organizimin e brendshëm të partisë dhe zhvillimet e fundit politike.

Me këtë ndryshim, drejtimi politik i PS-së në Tiranë do t’u besohet Ervin Demos dhe Albana Koçiut, ndërsa Erion Veliaj nuk do ta mbajë më këtë funksion.

E gjitha vjen pas një kërkese të Veliajt nga burgu i Fierit, për një mocion mosbesimi ndaj Ramës gjatë mbledhjes së Asamblesë, ku Veliaj më parë kërkoi të merrte pjesë, qoftë fizikisht, qoftë përmes një komunikimi virtual.

Përmes një SMS-je personale drejtuar anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Veliaj u ka dërguar fjalimin e titulluar “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, ku kërkon hapjen e një debati të brendshëm mbi mënyrën e drejtimit të partisë dhe përgjegjësinë politike të Edi Ramës.

Në fjalimin e tij, Veliaj bën një analizë kritike të zhvillimeve brenda Partisë Socialiste, duke e krahasuar frymën e dikurshme të kësaj force politike me situatën aktuale. Sipas tij, PS është larguar nga parimet e debatit, solidaritetit dhe meritokracisë, ndërsa vendimmarrja është përqendruar gjithnjë e më shumë në duart e një apo dy individëve.

“Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes”, shkruan Veliaj.

Ai kritikon mënyrën e përzgjedhjes së ministrave dhe kandidatëve për deputetë, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin real të Asamblesë Kombëtare, Kryesisë dhe Grupit Parlamentar. Sipas tij, këto struktura duhet të kenë një rol aktiv në diskutimin dhe orientimin politik të partisë dhe jo të shërbejnë vetëm për të miratuar vendime të marra paraprakisht nga drejtimi.

Veliaj thekson se kompetencat kushtetuese të kryeministrit për emërimin dhe shkarkimin e ministrave nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e tij politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.

Kritika të drejtpërdrejta ndaj Ramës

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit i kushtohet përgjegjësisë së Edi Ramës për modelin aktual të drejtimit të Partisë Socialiste.

Veliaj argumenton se pushteti i gjatë ka krijuar një sistem ku besnikëria personale është favorizuar mbi meritokracinë, ndërsa mendimi ndryshe është trajtuar si mosbindje.

Ai shprehet se deputetët duhet të kenë lirinë të kundërshtojnë vendimet politike dhe të ushtrojnë mandatin e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, pa pasur frikë nga pasojat politike.

Sipas tij, një grup parlamentar që nuk debaton dhe nuk kërkon llogari rrezikon të humbasë funksionin e tij përfaqësues dhe kontrollues ndaj pushtetit ekzekutiv.

Në një prej pjesëve më të forta të fjalimit, Veliaj shprehet se Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste, por sot, sipas gjykimit të tij, është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj.

“Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste”, thekson Veliaj.

Përmend shkarkimin nga detyra dhe pretendimet për presion politik

Në fjalimin e tij, Veliaj ndalet edhe te zhvillimet që lidhen me Bashkinë e Tiranës, shkarkimin e tij nga detyra dhe marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama.

Ai kujton se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, duke e cilësuar këtë një fakt juridik që, sipas tij, kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike.

Veliaj pretendon se veprimet ndaj tij kanë pasur si qëllim neutralizimin e tij politik dhe largimin nga ushtrimi i mandatit të fituar me votë.

Ai përsërit gjithashtu pretendimet se gjatë transferimit nga Durrësi në Fier, Ministri i Drejtësisë i ka përcjellë kërcënime në emër të Edi Ramës, lidhur me rëndimin e pozitës së tij penale dhe kushtet e paraburgimit, në këmbim të dorëheqjes nga mandati i kryebashkiakut.

Për këto pretendime, Veliaj kërkon verifikim përmes ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar, duke theksuar se Partia Socialiste nuk duhet të zëvendësojë organet e drejtësisë, por nuk mund të shmangë përgjegjësinë politike për çështje që prekin një të zgjedhur të saj.

Kërkon aktivizimin e mocionit të mosbesimit

Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt Asamblesë Kombëtare, duke kërkuar që përgjegjësia politike e Edi Ramës të shqyrtohet formalisht.

Ai kërkon që organet përgjegjëse të Partisë Socialiste të ndërmarrin hapat për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të partisë.

Gjithashtu, kërkon që të bëhen publike procedura, afatet dhe mënyra se si anëtarët e PS-së mund të ushtrojnë këtë të drejtë, në përputhje me statutin e partisë.

Veliaj thekson se besimi ndaj kryetarit nuk mund të jetë i pakufizuar dhe se çdo drejtues duhet t’i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit dhe llogaridhënies.

Në fund të fjalimit, ai nënvizon se asnjë individ nuk është i pazëvendësueshëm, duke përfshirë edhe veten, edhe Edi Ramën.

“Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerëzit e tij”, përfundon Veliaj.

Mesazhi i dërguar më 13 nëntor 2026 nga IEVP Fier, përbën një nga sfidat më të drejtpërdrejta politike ndaj Edi Ramës brenda Partisë Socialiste, pasi kërkesa e Veliajt nuk kufizohet vetëm te kritikat për mënyrën e drejtimit, por shkon deri te aktivizimi i mekanizmit statutor për vënien në diskutim të besimit ndaj kryetarit të partisë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Rreth 130 persona janë shpëtuar pas përplasjes së një anijeje…