Pamje dramatike nga përplasja e anijes turistike me tankerin, pasagjerët përpiqen të shpëtojnë
Rreth 130 persona janë shpëtuar pas përplasjes së një anijeje turistike me një tanker mallrash në lumin Misisipi, pranë qytetit të New Orleans, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përplasja bëri që anija turistike të anonte dhe më pas të përmbysej në njërën anë, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Ngjarja përfshiu anijen turistike “American Heritage” dhe anijen transportuese “Atlantic Asphalt”. Sipas autoriteteve, në bordin e anijes turistike ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç pjesëtarëve të ekuipazhit.
Si pasojë e incidentit, 32 persona u transportuan në spital me lëndime që nuk konsiderohen të rënda. Fatmirësisht, autoritetet konfirmuan se nuk ka asnjë person të zhdukur.
“Ne nuk kemi asnjë person të pagjetur, gjë që është vërtet një mrekulli në Misisipi”, deklaroi ajo gjatë një konference për mediat.
Sipas autoriteteve portuale, telefonatat e para për përplasjen mbërritën rreth orës 13:30 të së premtes, sipas orës lokale. Pasagjerët nisën të largoheshin nga anija, ndërsa ajo po merrte ujë dhe anonte gjithnjë e më shumë.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan operatorë të rimorkiatorëve, policia dhe ekipe të tjera emergjence. Për të lehtësuar ndërhyrjen, autoritetet pezulluan përkohësisht trafikun e anijeve në lumin Misisipi.
Shkaku i saktë i aksidentit mbetet nën hetim. Kapitenia e Rojës Bregdetare amerikane, Melanie Burnham, bëri të ditur se dyshimet paraprake lidhen me një problem në drejtimin e anijes.
“Duket se ka pasur një lloj humbjeje të kontrollit të drejtimit”, deklaroi ajo.
Një dëshmitar i ngjarjes, Jamie Holford, i tha BBC-së se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë gjatë përplasjes, të cilën e krahasoi me skenat e një filmi lufte.
“Dukej sikur tonelata çeliku po përplaseshin me njëra-tjetrën. Ishte si diçka e dalë nga filmi Titanic”, rrëfeu ai.
Sipas dëshmitarit, pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit bërtisnin dhe qanin teksa përpiqeshin të largoheshin nga anija.
“American Heritage”, e operuar nga kompania American Cruise Lines, po përfundonte një udhëtim turistik tetëditor, me ndalesa në destinacione përgjatë lumit Misisipi, në Luiziana dhe Misisipi.
Anija, e ndërtuar në vitin 2015, ka kapacitet për të akomoduar deri në 150 pasagjerë dhe përfshin disa ambiente argëtimi, restorant dhe qendra shërbimesh.
Presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi operacionin e shpëtimit, duke e cilësuar atë si një punë të jashtëzakonshme. Edhe guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, e quajti ndërhyrjen një “mrekulli në Misisipi”, duke theksuar numrin e madh të personave që arritën të shpëtoheshin.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të përplasjes.



