Trumpi, Putini dhe Xi planifikojnë takim historik trepalësh në Kinë javën e ardhshme
Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping pritet të takohen javën e ardhshme në Kinë, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Takimi mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës do të mbahet në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës, gjatë vizitës së presidentit amerikan Donald Trump.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, bëri të ditur se një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë reduktimi i armëve bërthamore në botë. Sipas saj, Trump e konsideron përhapjen e tyre si një rrezik të madh.
Në takim pritet të diskutohet edhe situata me Iranin, ndërsa çështja e Ukrainës nuk pritet të jetë pjesë e diskutimeve. Ndërkohë, Moska dhe Pekini ende nuk kanë komentuar mbi njoftimin.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, të cituar nga agjencitë AP dhe Reuters, nuk pritet që takimi të përfundojë me ndonjë marrëveshje konkrete.
Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për të marrë pjesë në samitin dyditor të APEC-ut, ku bëjnë pjesë 21 shtete. Të enjten ai do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me presidentin kinez Xi Jinping.
Ky do të jetë takimi i katërt mes Trumpit dhe Xi që nga rikthimi i presidentit amerikan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Para vizitës në Kinë, Trumpi do të marrë pjesë edhe në samitin e Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në Filipine, të martën.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se vizita synon të sjellë përfitime për qytetarët amerikanë dhe të avancojë interesat e SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor.



