SHBA propozoi që Ukraina të heq dorë nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO, thotë Zelenskyy
Negociatorët amerikanë kanë propozuar idenë që Ukraina të tërheqë forcat e saj të mbetura nga rajoni lindor i Donbasit, në këmbim të anëtarësimit në NATO, ka deklaruar Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Deklaratat e Presidentit ukrainas vijnë pasi të dërguarit e Presidentit Amerikan, Donald Trump, janë takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe me Zelenskyy-n, në kuadër të përpjekjeve të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, raporton BBC.
Kievi ka kërkuar prej kohësh anëtarësimin në aleancën ushtarake, por kjo kërkesë është kundërshtuar më parë nga SHBA-ja dhe disa vende të tjera, ndërsa Rusia ka deklaruar se nuk mund të pranojë një tjetër anëtar të NATO-s në kufirin e saj.
Rusia kontrollon pjesën më të madhe të rajonit industrial të Donbasit, ndërsa Zelenskyy ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territori i saj sovran.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po sikur Ukraina të anëtarësohej në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që u ngrit një çështje e tillë”, tha Zelenskyy në deklaratat e publikuara nga zyra e tij të shtunën.
Ai shtoi se, nëse do të merrte një propozim që përfshinte garanci të sigurisë, pa kufizime për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit, do ta dërgonte atë në referendum.
Të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, udhëtuan të enjten drejt kryeqytetit irlandez, Dublin, ku u takuan me Zelenskyy-n, pas një raundi bisedimesh me Putin-in në Moskë.
Deklaratat e Putin-it dhe zyrtarëve të Kremlinit sugjerojnë se qëndrimi i Rusisë për luftën nuk ka ndryshuar dhe se kërkesat e Moskës për territor dhe neutralitet vazhdojnë të jenë shumë përtej asaj që Ukraina është e gatshme të marrë në konsideratë, shkruan BBC.
Më herët, Moska kishte propozuar kufizime për madhësinë e ushtrisë ukrainase, lëshime territoriale dhe neutralitet të garantuar të Kievit, si kushte për një marrëveshje paqeje.
Ukraina i ka refuzuar këto kërkesa, duke argumentuar se kufizime të tilla do ta pengonin atë të përballonte një pushtim të mundshëm në të ardhmen.
Rusia tashmë i ka rritur edhe më tej kërkesat e saj. Ajo ka rikthyer kërkesat e vitit 2021, që NATO-ja të ndalojë çdo zgjerim në afërsi të Rusisë dhe të tërheqë infrastrukturën ushtarake nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat iu bashkuan NATO-s pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore i kishin hedhur poshtë këto kërkesa në atë kohë, ndërsa disa muaj më vonë Moska nisi pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë, çështjet e sigurisë evropiane ishin në agjendën e raundit të fundit të bisedimeve mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, që u zhvillua këtë javë në Abu Dhabi.
Rusia ka këmbëngulur se nuk do të pajtohet me ndërprerjen e luftimeve derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare paqeje, e cila do të përfshinte zgjidhjen e çështjeve territoriale dhe marrëveshjet për sigurinë.
Në deklaratat e dhëna të premten, por të publikuara vetëm të shtunën, Zelenskyy tha se propozimi amerikan e kishte bërë të besonte se “NATO-ja është rikthyer në tryezën e diskutimeve”.
Megjithatë, ai paralajmëroi: “Ju i keni dëgjuar edhe sinjalet e Putin-it dhe kjo është një bisedë jashtëzakonisht e vështirë”.
Rusia aktualisht ka të pushtuar rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, të cilat përbëjnë Donbasin, shkruan BBC, transmeton VOX Kosova.
Heqja dorë nga pjesët e vogla të territorit që Ukraina ende i kontrollon në këtë rajon do të kishte një rëndësi të madhe simbolike për Kievin.
Zelenskyy ka folur më parë për rimarrjen e territoreve të pushtuara nga Rusia në katër rajone të Ukrainës, si dhe të gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.
Raundi i fundit i bisedimeve vjen pas një periudhe marrëdhëniesh të tensionuara mes Kievit dhe Uashingtonit, për shkak të sulmeve ukrainase ndaj objekteve të naftës thellë brenda territorit rus. Trump i kishte kërkuar Ukrainës që t’i pezullonte këto sulme, me qëllim lehtësimin e furnizimit me naftë dizel ruse dhe uljen e çmimeve globale të karburanteve.
Më pas, Zelenskyy akuzoi zyrtarët amerikanë se po e kufizonin shërbimin e internetit Starlink për Ukrainën, të cilin vendi e përdor për të koordinuar operacionet mbrojtëse. Ndërkohë, Trump deklaroi se “kishte ardhur koha që Ukraina të zgjidhte një President të ri” dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja.
Zgjedhjet janë pezulluar për sa kohë që Ukraina mbetet nën ligjin ushtarak. Megjithatë, Zelensky ka deklaruar më parë se është i gatshëm që ato të mbahen brenda disa muajve nga arritja e një marrëveshjeje paqeje dhe se do të hiqte dorë nga presidenca në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.



