Limaj kërkon unitet kombëtar për mbrojtjen e luftës çlirimtare
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në një diskutim në Universitetin AAB, ku para studentëve dhe stafit akademik ka folur për procesin gjyqësor në Hagë dhe ndikimin e tij në historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Limaj ka thënë se Kosova pas 16 shtatorit nuk është më e njëjta, duke theksuar se çështja e procesit në Hagë nuk i përket vetëm së kaluarës, por ndikon edhe në mënyrën se si do të ndërtohet e ardhmja e vendit.
Ai ka deklaruar se, bazuar edhe në përvojën e tij personale me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë, konsideron se procesi gjyqësor në Hagë nuk i ka përmbushur standardet e një procesi të mirëfilltë të drejtësisë.
Sipas Limajt, mungesa e transparencës, pikëpyetjet mbi kredibilitetin e trupit gjykues, kontestimet për vlefshmërinë e provave dhe çështjet që lidhen me të drejtat procedurale të të akuzuarve kanë ngritur shqetësime për respektimin e së drejtës për një gjykim të drejtë.
Limaj ka kërkuar që Kosova ta vërë në funksion ligjin që trajton procesin gjyqësor në Hagë dhe garanton mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, duke theksuar se kjo çështje duhet të trajtohet përmes argumenteve juridike, dokumenteve dhe komunikimit me aleatët strategjikë.
Gjatë diskutimit, ai ka ngritur edhe çështjen e dallimit në dënimet e shqiptuara për krimet e luftës në Kosovë.
Sipas shifrave që ka prezantuar Limaj, për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë janë shqiptuar gjithsej 106 vjet burgim, ndërsa ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 567 vjet burgim.
Ai ka përmendur gjithashtu masakrat në Qirez, Poklek dhe Abri, si dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, për të cilat, sipas tij, ende kërkohet drejtësi.
Në bashkëbisedimin me studentët, Limaj ka theksuar nevojën për unitet kombëtar, duke thënë se mbrojtja e historisë nuk duhet të jetë përgjegjësi e një partie apo individi, por e të gjithë shoqërisë.
“Sepse mbrojtja e së vërtetës sonë historike është njëkohësisht mbrojtje e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe e vetë shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Limaj.
Në fund, ai ka falënderuar Universitetin AAB për mikpritjen, studentët për interesimin dhe stafin akademik për diskutimin.
Postimi i tij i plotë:
Në mikpritjen e Universitetit AAB, përpara studentëve dhe stafit akademik të jashtëzakonshëm, pata nderin të jem pjesë e një diskutimi mbi një nga çështjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, një çështje që nuk i përket vetëm së kaluarës, por përcakton edhe mënyrën se si do të ndërtohet e ardhmja e Kosovës.
Kosova pas 16 shtatorit nuk është më e njëjta!
Për këtë çështje nuk flas si përfaqësues politik, por edhe si njeri që e ka përjetuar drejtpërdrejt përballjen me drejtësinë ndërkombëtare. Kam qenë ndër të parët që jam përballur me mekanizmat gjyqësorë ndërkombëtarë për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, fillimisht përmes Tribunalit të Hagës dhe më pas përmes misioneve ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë. Prandaj, e di nga përvoja se çfarë nënkupton të përballesh me një proces të tillë, çfarë përgjegjësie kërkon drejtësia dhe sa i rëndësishëm është respektimi i standardeve të një gjykimi të drejtë.
Pikërisht për këtë arsye, vlerësoj se procesi gjyqësor në Hagë nuk arriti të përmbushë standardet që duhet ta karakterizojnë një proces të mirëfilltë drejtësie. Mungesa e transparencës, pikëpyetjet mbi kredibilitetin e trupit gjykues, kontestimet lidhur me vlefshmërinë e provave dhe cenimi i të drejtave procedurale të të akuzuarve ngritën shqetësime serioze për respektimin e parimit të barazisë së armëve dhe të drejtës për një gjykim të drejtë.
Theksova se Republika e Kosovës ka obligim institucional dhe historik që, pa vonesa të mëtejshme ta vërë në funksion ligjin që trajton procesin gjyqësor në Hagë dhe garanton mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, respektimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe një gjykim të drejtë.Këtë betejë duhet ta zhvillojmë me argumente juridike, me dokumente dhe me komunikim të vazhdueshëm me aleatët tanë strategjikë. Por, mbi të gjitha, duhet ta bëjmë me bindjen se e vërteta historike nuk mund të negociohet dhe as të relativizohet.
Në thelb, kjo gjykatë e ka zanafillën në pretendimet e raportit të Dick Martyt, pretendime për të cilat janë ngritur pikëpyetje serioze mbi origjinën dhe bazën e tyre. Shqetësimi është se kemi pasur një proces ku fillimisht u ndërtua një narrativë mbi fajësinë, e më pas u kërkua që faktet t’i përshtateshin asaj narrative. Në vend që përgjegjësia të individualizohej mbi bazën e veprimeve konkrete, u krijua përshtypja se në bankën e të akuzuarve u vendosën edhe pozicionet politike dhe historike që përfaqësonin të akuzuarit.
Një tjetër çështje që kërkon vëmendje të veçantë është disproporcioni i madh në dënimet e shqiptuara. Sipas shifrave të prezantuara në diskutim, për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë janë shqiptuar gjithsej 106 vjet burgim, ndërsa ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shqiptuar 567 vjet burgim.
Por padrejtësia nuk përfundon këtu. Krimet si masakrat në Qirez, Poklek, Abri kryera nga Serbia gjatë vitit 1998 vazhdojnë të mos njihen nga asnjë proces gjyqësor. Derisa krimet gjenocidale në shumë lokalitete të tjera gjatë vitit 1999, masakrat, varrezat masive, zhvendosja e fshehtë e trupave të viktimave shqiptare nëpërmjet strukturave shtetërore serbe në kazermat e institucioneve të sigurisë, hedhja e tyre në lumin Danub, janë pjesë e një historie krimesh që ende kërkojnë drejtësi. Nuk mund të ketë drejtësi selektive dhe as standarde të dyfishta. Nuk mund të ndërtohet një histori e drejtësisë për Kosovën duke lënë jashtë saj krimet e kryera ndaj popullit të saj.
Në bashkëbisedimin me studentët, theksuam se kjo çështje nuk duhet të na ndajë sipas bindjeve politike apo përkatësisë brezore. Përkundrazi, ajo kërkon një bashkim kombëtar të përgjegjshëm, ku të rinjtë dhe të moshuarit, institucionet, akademia dhe shoqëria civile të bëhen pjesë e një angazhimi të përbashkët.
Unë besoj se mbrojtja e historisë nuk është detyrë e një partie, e një individi apo e një gjenerate. Është përgjegjësi e një kombi ndaj vetvetes dhe ndaj brezave që vijnë.
Kosova ka nevojë për unitet, guxim dhe vendosmëri. Sepse mbrojtja e së vërtetës sonë historike është njëkohësisht mbrojtje e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe e vetë shtetësisë së Kosovës.
Faleminderit Universitetit AAB për mikpritjen, studentëve për interesimin dhe stafit akademik për këtë debat me rëndësi të veçantë kombëtare.



