Banda shqiptare e vjedhjeve në banesa goditet nga policia, katër të arrestuar në Francë

15 nëntor 2026 | 14:37

Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vjet burgim në Francë, pasi janë shpallur fajtorë për një seri vjedhjesh dhe tentativash për grabitje në banesa. Vendimi është dhënë më 13 nëntor nga Gjykata e Colmarit, pas një hetimi të zhvilluar nga policia franceze.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë vepruar në disa zona të Francës, duke hyrë në banesa dhe duke marrë sende me vlerë. Megjithëse katër të akuzuarit kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen në këto ngjarje, gjykata ka vendosur që secilin ta dënojë me nga tre vjet burg.

Vjedhjet kishin shkaktuar shqetësim te banorët e zonave të prekura. Në Turckheim, njëra prej banesave të shënjestruara kishte pësuar dëmtime në grilat elektrike dhe dritare. Autorët kishin përdorur edhe një darë për skarë, të marrë nga kopshti, për të ndërhyrë në banesë. Brenda saj kishin përmbysur gjithçka, por nuk kishin arritur të vidhnin asgjë.

Një tjetër episod është raportuar në Zimmerbach, ku pronarja e një banese ishte njoftuar nga fqinja se dritarja e shtëpisë së saj kishte qëndruar e hapur për dy ditë.

“Kanë shkaktuar shumë dëme për shumë pak gjëra”, ka thënë njëra prej banoreve të prekura.

Raste të tjera vjedhjesh janë raportuar edhe në Labaroche, Munster, Porte-du-Ried dhe Rosières-aux-Salines, në rajonin Meurthe-et-Moselle. Mes sendeve të marra nga banesat përmenden bizhuteri dhe një konsolë lojërash “PlayStation 5”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Astrit Haraqijës i është prishur “heshtja” të shtunën në mbrëmje.…