Organizoi arratisjen spektakolare gjatë funeralit të vëllait, arrestohet pas 7 muajsh shqiptari në Australi
Orijol Rukaj, 47 vjeç, i dyshuar për trafik droge, i cili ishte arratisur gjatë ceremonisë mortore të vëllait të tij në Melburn të Australisë, është arrestuar të premten.
Rukaj, i cili mbahej në burg për akuza të rënda që lidhen me drogën, kishte marrë leje të posaçme për të marrë pjesë në funeralin e vëllait të tij, më 25 prill. Megjithatë, pavarësisht se ishte i prangosur dhe nën mbikëqyrjen e punonjësve të shërbimit korrektues, 47-vjeçari arriti të largohej pa u vënë re.
Sipas dëshmitarëve, Rukaj kishte ndihmuar në mbajtjen e arkivolit të vëllait gjatë daljes nga varrezat. Më pas, ai dyshohet se përfitoi nga prania e rreth 300 personave në ceremoninë mortore për t’u larguar mes turmës. Dyshohet se u largua me një automjet tip Toyota LandCruiser të zi. Pas muajsh arratise, policia arrestoi 47-vjeçarin në Bamaga, pranë Cape York. Aktualisht, Rukaj ndodhet në paraburgim në Queensland.



